Në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian për Kapitullin 12, “Siguria Ushqimore, Politikat Veterinare dhe Fitosanitare”, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zhvilloi një takim konsultues me pjesëmarrjen e prodhuesve, përpunuesve, ekspertëve, organizatave të shoqërisë civile, partnerëve publikë e privatë, si dhe grupeve të interesit.
Takimi u karakterizua nga diskutime të hapura, konstruktive dhe të orientuara drejt zgjidhjeve konkrete, në funksion të përgatitjes për procesin e integrimit evropian. Gjatë tij u trajtuan çështje kyçe që lidhen me programet e survejancës dhe çrrënjosjes së sëmundjeve, kontrollet zyrtare në pikat e kontrollit kufitar, si dhe mbrojtjen e shëndetit të bimëve.
Kontributet dhe rekomandimet e pjesëmarrësve dëshmuan rëndësinë e partneritetit, ekspertizës dhe dialogut të vazhdueshëm në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Përafrimi me acquis-in e Bashkimit Evropian nuk është vetëm një proces ligjor dhe administrativ, por kërkon ndërgjegjësim, përfshirje dhe angazhim nga të gjithë aktorët që do të zbatojnë dhe do të përfitojnë nga këto reforma. Përmes një kulture të përbashkët bashkëpunimi synohet forcimi i institucioneve, rritja e standardeve dhe ndërtimi i një sistemi modern të sigurisë ushqimore në shërbim të qytetarëve.
Takimet e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian dhe konsultimet me grupet e interesit do të vijojnë me intensitet, duke nisur nga java e parë e muajit shtator 2026, me synimin për të forcuar dialogun, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të zgjeruar përfshirjen e të gjithë aktorëve në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.







© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë