Në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore, në Tiranë u prezantua projekti EU4FoodSafety, një nismë e mbështetur nga Qeveria shqiptare dhe e financuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane, që synon forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, vlerësoi projektin si një mbështetje të rëndësishme për avancimin e reformave në sektor.
“Siguria ushqimore është një shtyllë themelore për shëndetin publik, për mbrojtjen e konsumatorit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agroushqimor. Ajo është gjithashtu një element kyç për rritjen e aftësisë konkurruese të prodhuesve shqiptarë dhe për afrimin e tyre me tregun evropian”, deklaroi Salla.
Ai theksoi se MBZHR mbetet e angazhuar në ndërtimin e një sistemi modern dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ne po avancojmë në mënyrë të qëndrueshme në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e sistemeve të kontrollit dhe inspektimit, rritjen e standardeve për operatorët e biznesit ushqimor dhe zbatimin efektiv të legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së”, tha Salla.
“Ky projekt do të na ndihmojë të kalojmë nga identifikimi i sfidave drejt zbatimit të zgjidhjeve konkrete dhe të qëndrueshme, duke garantuar një nivel më të lartë sigurie ushqimore për qytetarët”, u shpreh ai.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, Salla nënvizoi se reformat në fushën e sigurisë ushqimore lidhen drejtpërdrejt me përparimin në kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Programi IPARD mbeten instrumente strategjike për zhvillimin e sektorit agroushqimor, ndërsa objektivi ynë është i qartë: ndërtimi i një sistemi funksional dhe të besueshëm, i cili garanton ushqim të sigurt për qytetarët dhe njëkohësisht përmbush standardet e Bashkimit Evropian”, tha ministri.
Në aktivitet mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimi Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili prezantoi projektin me vlerë 12,5 milionë euro të financuar nga Bashkimi Evropian dhe me një kontribut shtesë prej 1 milion eurosh nga qeveria gjermane.
“Siguria ushqimore nuk është thjesht një procedurë teknike, por një e drejtë themelore publike. Çdo qytetar duhet të ketë besim se ushqimi që konsumon është i sigurt dhe përmbush standardet më të larta”, deklaroi Gonzato.
“EU4FoodSafety do të ndihmojë Shqipërinë të forcojë sistemin e kontrollit, laboratorët, inspektimet dhe kapacitetet veterinare, duke sjellë standarde evropiane nga ferma në tryezë”, tha ai.
Sipas Gonzatos, përfitimet e projektit do të ndihen si nga konsumatorët, ashtu edhe nga bizneset agroushqimore, të cilat do të kenë mundësi më të mëdha për të rritur cilësinë e produkteve dhe konkurrueshmërinë në tregjet evropiane.
Projekti EU4FoodSafety do të zbatohet në bashkëpunim me GIZ dhe institucionet shqiptare përgjegjëse për sigurinë ushqimore, me synimin për të forcuar qeverisjen, kontrollin dhe zbatimin e standardeve në të gjithë zinxhirin ushqimor.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë