Ministri Salla prezanton projektbuxhetin për bujqësinë 2026 - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 12/11/2025

Ministri Salla prezanton projektbuxhetin për bujqësinë 2026

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla prezantoi sot në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural projektbuxhetin për bujqësinë për vitin 2026, më të lartin ndonjëherë për sektorin, me një vlerë prej 16.3 miliardë lekësh, ose 11% më shumë se një vit më parë.

Ky buxhet vendos bujqësinë shqiptare në shinat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke përmbushur angazhimet e Kapitujve 11, 12 dhe 13.

Fokusi i buxhetit janë rritja e prodhimit dhe eksporteve, rritja e sigurisë ushqimore, modernizimi i ujitjes dhe kullimit, zhvillimi rural, si dhe forcimi i kapaciteteve teknike dhe dixhitalizimi i shërbimeve bujqësore.

Ministri theksoi se buxheti 2026 nuk është vetëm një instrument financiar, por një instrument negociatash që e afron bujqësinë shqiptare me standardet evropiane dhe garanton mbështetje më të madhe e më të drejtë për çdo fermer.

Më poshtë ju lutem gjeni fjalën e plotë të ministrit:

 

I nderuar Kryetar, të nderuar deputetë,

Bujqësia shqiptare sot prodhon më shumë sesa në vitin 2013, produktet bujqësore janë rritur, perimet 57% më shumë, bimët aromatike e mjekësore janë rritur me 65%, pemët frutore me 1/3tën. E njëjta tendencë është edhe për ullinjtë dhe agrumet.

Eksportet agro-ushqimore kanë kaluar nga 14,6 miliardë lekë në vitin 2013 në 53,2 mld lekë në vitin 2024.

Për 9-mujorin e këtij viti eksportet kanë arritur 41,4 miliardë lekë ose 7,4% më shumë se 9 mujori i një viti më parë.

Raporti i mbulimit eksporte-importe bujqësore është përmirësuar nga 6,4 lekë importe për 1 lek eksporte në vitin 2013 në 2,9 lekë sot.

Kjo është akoma më e rëndësishme po të konsiderojmë edhe rritjen e kërkesës së brendshme ushqimore që vjen nga turizmi.

Edhe pjesëmarrja në skemat e mbështetjes është zgjeruar: nga 11 mijë përfitues në vitin 2013 në më shumë se 71 mijë në vitin 2025, me një rritje të buxhetit me më shumë se 3,5 herë.

Sot mbështesim bujqësinë, blegtorinë, serat, bimët mjekësore dhe aromatike dhe investimet në zonat rurale.

Pra, biem të gjithë dakord që bujqësia është në një fazë të re zhvillimi.

Ky zhvillim vjen nga më shumë sipërfaqe të ujitura, më shumë fonde investimi dhe më shumë qendra grumbullimi.

Ne duhet të ecim përpara për hapin e radhës atë të përgatitjes për anëtarësimin në BE, deri në vitin 2027.

Sektori ynë, por edhe të gjithë aktorët fermerë, blegtorë, grumbullues, përpunues, tregtues etj., duhet që të kenë përgatitjen e nevojshme për të pasur një integrim sa më të frytshëm në familjen evropiane dhe tregun unik.

Sot paraqesim një buxhet që e vendos bujqësinë shqiptare në shinat e anëtarësimit.

Me hapjen e negociatave për Cluster-in 5-të, Kapitujt 11, 12 dhe 13 në nëntor, çdo lek që planifikojmë shkon për të mbyllur hendekun me BE-në, jo vetëm për të shpenzuar, por për të dorëzuar standarde dhe për të hapur rrugën e financimeve pas-anëtarësimit në 2030.

Ky s’është thjesht buxhet, por është instrument negociatash.

Buxheti fokusohet në përmbushjen e angazhimeve të Kapitujve 11, 12 dhe 13,    dhe përafrimin me KAP për ngritjen e sistemeve që kërkon Acquis Communautaire. Çdo qindarkë që shpenzojmë duhet të përkthehet në kapacitete, standarde dhe gjurmueshmëri që na afrojnë me BE-në.

Për herë të parë e shoqërojmë buxhetin me masa fiskale në një qasje të vetme që krijon efekt të shumëfishtë në zinxhirin e vlerës, nga prodhimi, te grumbullimi e përpunimi. Kalohet nga subvencioni, te rezultati i matshëm në konkurrueshmëri,    siguri ushqimore dhe eksport.

Ky është thelbi i qasjes sonë.

Skema e re e mbështetjes i mëson fermerët të prodhojnë sot me rregullat që do të gjejnë nesër në BE pra formalizim, faturim, gjurmueshmëri, standarde cilësie dhe sigurie ushqimore.

Kushti është i thjeshtë dhe i drejtë: sa herë që shet me faturë, aq herë ke akses në mbështetje.

Prandaj, përtej rritjes nominale, vlera e vërtetë e këtij buxheti qëndron te bashkëveprimi buxhet – ndërhyrje fiskale dhe te orientimi i tij drejt standardeve të BE-së.

Në këtë kuadër, draft Ligji i Projekt-buxheti të vitit 2026 për MBZHR është 16.3 miliard lekë,  ose 11.3% më shumë  ose 11 milion euro më shumë për fermerët, përpunuesit, peshkatarët shqiptarë. Ky është buxheti më i lartë që ka pasur ndonjëherë bujqësia shqiptare dhe është rreth 3 herë më shumë se sa në vitin 2012.

Më shumë buxhet do të kenë

  • Investimet e brendshme me fondet e buxhetit të shtetit me rreth 32%.
  • 5% më shumë për zhvillimin rural dhe skema kombëtare mbështetëse me 16%,
  • Rreth 80% në programin buxhetor të sigurisë ushqimore.

Katër do të jenë shtyllat mbi të cilat ndërtohet buxheti

1) Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë dhe zonave rurale

3) Siguria ushqimore

2) Zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit dhe ekonomisë blu.

Dhe së fundi 4) Kapacitetet, bashkëpunimi, inovacioni dhe digjitalizimi.

 

Por, nuk mund të lë pa përmendur tokën dhe ujin, si dy burime të cilat janë themelore për procesin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral.

Do të vazhdojmë që të investojmë në ujitje-kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet, duke rritur sigurinë për fermerët dhe duke ulur humbjet.

 

Në mënyrë më të detajuar:

Programi i Zhvillimit Rural është boshti i kësaj pakete me 7.7 miliard lekë në 2026 ose 47,5% të buxhetit total të MBZHR.

Me këtë program zbatojmë prioritetet 2025–2029 dhe e afrojmë sektorin me KAP deri në 2030.

Kjo do të thotë më shumë prodhim, më shumë cilësi, më shumë treg.

Në qendër, qëndron Skema Kombëtare e cila ndërtohet mbi rritjen e prodhimit dhe potencialeve të tregjeve.

5.2 miliardë lekë shkojnë për pagesa direkte dhe grante investimi për ferma, për forcimin e zinxhirit të vlerës dhe agroturizmin. Kjo vlerë është 16% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2025.

Thirrja e fundit për investime në ferma, linja përpunimi dhe agroturizëm pati më shumë se 800 aplikime të cilat do të vazhdojnë të zbatohen edhe në vitin 2026. Kështu, kjo skemë do të injektojë në modernizimin e sektorit gjatë vitit në vijim së paku 2 miliardë lekë, dhe investimet janë rritur me 27%.

Objektivi ynë është i qartë dhe i bërë publik në planin e qeverisë 2030:

Skemë me buxhet deri 100 milion € në vit, 150,000 përfitues dhe kushtëzime për praktika mjedisore, siguri ushqimore, gjurmueshmëri dhe mirëqenie kafshësh.

Këtë vit skema shoqërohet nga instrumenti fiskal që e çon rritjen e të ardhurave në çdo fermë, serë, pemtore, apo stallë blegtorale.

Kompensim 10% i TVSH-së së inputeve , i lidhur me shitjet me faturë për çdo fermer     me NIPT fermeri.

Në praktikë 10% e vlerës së faturës së shitjes i kthehet fermerit si kompensim mbi vlerën e produktit të shitur.

Kjo ul kostot e prodhimit, forcon lidhjen prodhim–grumbullim–përpunim, rrit gjurmueshmërinë dhe sigurinë ushqimore për konsumatorin vendas dhe të huaj.

Vetëm kjo masë sipas të dhënave paraprake mbështet fermerët dhe bujqësinë me rreth 1.5 miliard lekë çdo vit.

Pra ndërtojmë një qasje të re për të gjithë fermerët nëpërmjet parimit: faturo dhe përfito.

Për të garantuar praktikisht procesin e anëtarësimit, investojmë në sistemet që kërkon AKIS. Kjo bën që në vitin 2026, ne të kemi një rritje në investime në nivelin 27%.

1.3 miliard lekë shkojnë për sistemin IACS dhe LPIS kusht për akreditimin e Agjencisë së Pagesave, sisteme për Organizimin e Tregjeve, informacionin e çmimeve dhe FADN.

Ndërsa fondi 1.1 miliard lekë siguron ecurinë e projekteve sipas marrëveshjeve me donatorët.

Ne vazhdojmë të punojmë për të arritur objektivin tonë të shpallur tashmë atë të eksporteve të bujqësisë dhe peshkimit prej 1 miliard Dollarë deri në 2030.

Dua të theksoj se instrumentet të tjerë si fondi i garancisë ka hapur kredi të buta për prodhimin bujqësor dhe agrobiznesin, duke shumëzuar çdo lek publik me investim privat.

Garancia sovrane i mundëson aktorëve të sektori kredi me normë interesi 2% si pjesë e fondit të vënë në dispozicion prej 250 milion Euro nga Banka e Shqipërisë.

Kjo mbështetje me vlerë 3 miliardë lekë do të rinovohet edhe për vitin 2026.

 

Programi i dytë buxhetor është ai i sigurisë ushqimore i cili ka një vlerë prej 2,9 miliard lekë për vitin 2026 ose një rritje prej 12,1%.

Kemi rritur me pothuaj 80% investimet e brendshme të cilat do të përkthehen në më shumë laborator, më shumë analiza të akredituara më shumë siguri ushqimore, me produkte më pranë BE.

Ky program synon garantimin e sigurisë ushqimore, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin e bimëve dhe njerëzve.

Kjo arrihet së pari duke përafruar plotësisht kuadrin tonë ligjor me atë të BE,

së dyti duke vendosur nën kontrollin zyrtar të gjithë territorin e vendit përmes inspektoriateve të riorganizuara,

dhe së treti duke mësuar, edukuar dhe mbështetur të gjithë operatorët e zinxhirit ushqimor në përmbushjen e standardeve për të qenë të barabartë në tregun evropian.

Qëllimi politik është i qartë mbrojta e konsumatorit shqiptar me produkte ushqimore të sigurta, çmime të përballueshme dhe konkurruese me ato të importit, si dhe nxitjen e prodhimeve për eksporte cilësore në vendet e BE dhe të rajonit.

Prioritetet tona për vitin 2026 janë:

Forcojmë laboratorin e Referencës Kombëtare (ISUV) dhe 7 laboratorët rajonalë të shëndetit të kafshëve, shëndetit të bimëve dhe sigurisë ushqimore  .

Rrisim kapacitetet analitike, zgjerojmë gamën e testeve të akredituara, sigurojmë mirëmbajtjen periodike të tyre.

Kjo e bën sistemin të besueshëm dhe rrit potencialin eksportues të produkteve bimore duke mundësuar edhe hapjen e tregjeve për produktet shtazore.

Rrisim gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore brenda në fermë, që nga fara e fidani, trajtimi, ujitja , karenca e deri tek produkti ushqimor për treg të brendshëm apo eksport.

Rrisim gjurmueshmërinë në të gjithë zinxhirin e tregtimit të produktit sapo del nga ferma deri në tavolinë.

Po kështu rrisim gjurmueshmërinë e ushqimeve shtazore që fillon me ushqimin për kafshë, kafshët, produktet dhe nën produkteve të tyre.

Qasja e përbashkët “Një shëndet” rrit bashkëpunimin me të gjithë faktorët e aktorët profesionistë, mjekë, farmacistë , veterinerë, agronomë, zooteknikë etj.

Në këtë kuadër jemi duke hartuar ligjin për Urdhrin Profesional të Agronomit, ku roli i agronomit do të kthehet në aset për të rritur cilësinë e shërbimit që i ofrohet fermerëve. Agronomi do të ketë përgjegjësinë e përdorimit të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve për të mundësuar një gjurmueshmëri të këtyre produkteve në çdo hallkë.

Po ndërtojmë për herë të parë një qasje në të cilën të njëjtat kushte kontrolli që zbatohen në zinxhirin e qarkullimit të barnave dhe funksionimin e farmacive humane, ta zbatojmë edhe tek farmacitë bujqësore duke ngritur një sistem kontrolli të digjitalizuar.

Nuk i lëmë asgjë rastësisë kur bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve.

Pajisim veterinerët me komplete biologjike, laptopë dhe tableta për regjistrim elektronik, dhe certifikatën e lëvizjes së kafshëve.

Rrisim, kapacitetet me trajnim periodik mbi sëmundjet, për të cilat nevojiten masa të menjëhershme për kontrollin dhe çrrënjosjen e tyre, dhe biosigurinë.

Krijojmë një mekanizëm emergjent, me buxhet fleksibël, për ndërhyrje të menjëhershme kur kjo është e nevojshme.

Finalizojmë paketën ligjore që përbëhet nga Ligji “Për Produktet për Mbrojtjen e Bimëve”, Ligji “Për Kontrollet Zyrtare”, Ligji “Për organizmat e modifikuara gjenetikisht”, për përafrim për materialin mbjellës, si dhe aktet nënligjore përkatëse.

Riorganizojmë shërbimin fitosanitar me sisteme elektronike dhe forcojmë Pikat e inspektimit kufitar duke filluar ndërtimin e 6 pikave të reja.

Forcojmë laboratorin e referencës duke përfshirë një laborator të ri për OMGJ.

Jemi duke hartuar Planin shumëvjeçar me bazë risku për shëndetin e bimëve, materialin mbjellës dhe Produktet e Mbrojtjes së Bimëve, në linjë me Rregulloren e BE.

Puna jonë do të përqendrohet edhe në ndërgjegjësimin dhe edukimin e fermerëve si edhe operatorëve të biznesit ushqimor për përmbushjen e kushteve dhe standardeve e nevojshme për tregun BE-së.

 

Peshkimi për vitin 2026 do të financohet 10% më shumë,

Ky program vendos një kurs të qartë: peshkim dhe akuakulturë të qëndrueshme, me përdorim të përgjegjshëm të burimeve dhe përputhje të plotë me politikën e përbashkët të peshkimit të BE. Me këtë buxhet synojmë rritje të prodhimit me 10–20% dhe eksporte +60–70% deri në 2027, duke lidhur sektorin me standarde, gjurmueshmëri dhe tregjet.

Boshti i parë është tregu. Ndërtojmë tregje të reja dhe vëmë në funksion/ mirëmbajtje ato ekzistuese, që produktet peshkore të dalin më shumë, më cilësore, më të sigurta dhe të gjurmuara, konkurruese në tregun vendas dhe atë të BE-së.

Boshti i dytë është biologjia dhe furnizimi: modernizojmë qendrat e rasatit dhe rrisim prodhimin në ≈2 milion copa/vit, për të mbështetur ripopullimin e liqeneve natyrore, ruajtur biodiversitetin dhe garantuar zënie afatgjata për komunitetet.

Boshti i tretë është Butrinti: nisja në 2026 e thellimit të Kanalit të Vivarit rrit këmbimin ujë–det, stabilizon parametrat fiziko-kimikë dhe krijon kushte ideale për rritjen e midhjes, duke rritur sasinë dhe vlerën e produktit në një aktivitet tradicional me impakt social për zonën.

Infrastruktura portuale është leva e katërt: shtojmë kapacitetet ankoruese dhe shërbimet bazë (ujë i pijshëm, karburant), për efikasitet logjistik dhe kosto më të ulëta për operatorët.

Në të njëjtën kohë, propozojmë një skemë mbështetëse shtesë prej 400 mln lekë si politikë strukturore: modernizim i flotës, ulje e impaktit mjedisor, riparime, zëvendësim motorësh, investime në bord, si dhe mbështetje për akuakulturën (modernizim fermash peshku dhe molusqesh, organizata prodhuesish, diversifikim produkti). Skema do të ndjekë parimet e BE-së, për të përmbushur Pozicionin Negociues të Kapitullit 13.

 

Menaxhimi i Infrastrukturës së Kullimit dhe Ujitjes (2026)

Programi i ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet mbetet një prej shtyllave të ndërhyrjes tonë.

Në vitin 2025 ne kemi pasur një ecuri shumë pozitive  ku përtej ndërhyrjeve që ishin parashikuar në buxhetin fillestar ne kemi mundësuar me aktin normativ të qershorit që të rrisim investimet në këtë sektor.

Janë financuar 86 objekte me një vlerë investimesh prej 2.3 miliard lekë në objekte të ujitjes, në rehabilitim të hidrovorëve dhe mbrojtje nga përmbytja.

Vazhdojmë në vitin 2026 të shndërrojmë investimin në ujitje dhe kullim në më shumë prodhime bujqësore.

Tavani buxhetor i parashikuar është mbi 3,6 miliardë lekë ose 26,4% më shumë sesa në vitin 2025.

Do të investojmë më shumë për të përmirësuar dhe modernizuar ujitjen dhe kullimin  dhe për t’u mbrojtur më mirë nga faktorët natyrorë siç është përmbytja.

36% më shumë investime të brendshme do të ketë ky sektor në vitin 2026.

Do ta shpërndajmë këtë investim aty ku efekti në rendiment dhe uljen e kostove është më i lartë:

  • rreth 1.5 miliard lekë shkojnë për rehabilitimin e kanaleve ujitës nga të cilat rreth 70% shkojnë për mbështetjen e bashkive,
  • rreth 815 milion lekë për investimet në argjinaturat lumore, për rritjen e mbrojtjen nga përmbytjet dhe 250 milion lekë për rehabilitimin e hidrovoreve.

Si pasojë e rritjes së investimeve për vitin 2025 me aktin normativ të tetorit, aktualisht për vitin 2026 numri objekteve në të cilat vazhdojmë punën është 43 nga të cilët 22 i përkasin bashkive.

Kështu, në ujitje, përmirësojmë shërbimin në rreth 10,000 ha.

Në mbrojtjen nga përmbytjet, ndërtojmë dhe rehabilitojmë rreth 10 km argjinatura në lumenjtë Drin, Bunë, Kir, Mat, Shkumbin, Osum, Seman, Borsh, Shushicë.

Në kullim, përfundojmë rikonstruksionin e hidrovorit të Orikumit duke përmirësuar kullimin në 500 ha dhe rehabilitojmë hidrovorin e qytetit të Vlorës për të shmangur përmbytjet urbane në reshje intensive.

Me 630 milionë lekë shpenzime operative, mirëmbajmë dhe përmirësojmë kullimin në mbi 60,000 ha përmes lëvizjes së më shumë se 2.5 milion m³ dhera. Garantojmë mirëmbajtjen dhe operimin 27 hidrovoreve në të gjithë vendin.

Investimet nga projektet e huaja mbeten një mundësi tjetër financimi.

Projekti i Bankës Botërore sjell një investim prej 26.1 milionë euro në ujitje dhe kullim.

Kryejmë fizibilitetin për rikthimin e ujitjes në 4,000 ha në Tërbuf.

Në kullim investojmë 9.4 milionë euro që do të modernizojnë 2 hidrovorët e Hoxharë – Seman nr.2 dhe Darzezë nr.3, në Fier. Mundësojmë kështu përmirësimin e kullimit mbi 9,600 ha dhe i shërbejnë më shumë se 10,000 fermerëve.

Projekti i sigurisë së digave, një tjetër financim i Bankës Botërore prej 1.5 milionë Euro, që mbulon fazën e parafizibilitetit për 430 diga për të kaluar në fizibilitet, projekte zbatimi dhe ndërhyrje civile në digat prioritare.

Nga Qeveria Franceze vijnë 0.5 milionë euro për fizibilitet dhe projekte paraprake    në 4 skema me ngritje mekanike që mbulojnë 8,500 ha.

Me shtesën e investimeve me rreth 700 milion për vitin 2026 do të kemi prioritet disa objekte të rinj të infrastrukturës kryesore të ujitjes ato në administrim të MBZHR dhe ato të Bashkive si dhe disa ndërhyrje në mbrojtjen nga përmbytja në zonat me risk të lartë.

 

Këshillimi dhe Informacioni Bujqësor ka një buxhet prej 819 milion lekë në 2026, ose 8,2% më shumë krahasuar me 2025.

Ky është shërbimi që e zbret politikën në parcelë, i jep fermerit zgjidhje të thjeshta, të matshme dhe në kohë.

Do të vazhdojmë financimin e 5 Qendrave të Transferimit të Teknologjive Bujqësore    dhe 4 Agjencive Rajonale të Ekstensionit që ofrojnë asistencë teknike falas për të rritur prodhimin dhe për të ulur kostot.

Bujqësia jonë është në një fazë të re dhe tani janë të nevojshme për fermerët si investimet ashtu edhe dijet, si mundësia për mbështetje ashtu edhe informacioni për ta bërë këtë mbështetje të përdorshme për të.

Efekti në sektor është i qartë dhe afatgjatë.

Ne parashikojmë që gjatë periudhës 2026–2028 të dorëzojmë 64 karta/paketa teknologjike, me synim informimin e më shumë se 100,000 fermerë që i adoptojnë ato.

Struktura e këshillimit informon dhe asiston fermerët në të katër cepat e Shqipërisë, trajnon 225 specialistë çdo vit, që cilësia e shërbimit të rritet vazhdimisht. Në të njëjtën periudhë, ndihmojmë fermerët për aplikimin në skemat kombëtare    dokumente, faturim, gjurmueshmëri.

 

Menaxhimi i Qëndrueshëm i Tokës Bujqësore ka një buxhet të planifikuar prej 25 milion lekë në 2026.

Me këtë fond ndërtojmë një sistem modern informacioni për tokën bujqësore që e kthen politikën në vendimmarrje me prova dhe na afron me praktikën e BE-së.

Karakterizojmë tipet e tokës me të gjithë elementët përbërës.

Llogarisim gjithashtu rrezikun aktual dhe potencial të erozionit.

Me këtë mbështetje, vendosim “inteligjencën” që rrit efektin e çdo lekut tjetër në buxhet: zgjedhje më të mira kulturash, ujitje më të mençur, skema më të sakta dhe siguri më e madhe për konsumatorin.

 

Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi (2026) ka një buxhet të rritur prej 4%. Ky është “motori administrativ” që e kthen politikën në zbatim: përafron legjislacionin me kërkesat e BE, këshillon institucionet zbatuese si dhe biznesin    gjithashtu koordinon me Komisionin Europian.

Të nderuar deputetë ,

ky buxhet nuk është thjesht një tabelë shifrash, është një paketë që e çon bujqësinë shqiptare një hap përpara drejt BE-së.

Në 2026 ne kalojmë nga logjika e shpërndarjes te logjika e rezultatit.

Skema mbështetëse si BE dhe kompensimi 10% i TVSH-së lidhin faturën me përfitimin duke sjellë formalizim, gjurmueshmëri dhe besueshmëri.

Kjo paketë, e mbështetur nga ujitja e sigurt, nga kontrolli zyrtar dhe laboratorët, nga këshillimi në terren  e bën zinxhirin  prodhim – grumbullim – përpunim të veprojë si një i vetëm.

Ky është buxheti i një vendi që negocion anëtarësimin dhe përgatitet për fondet    pas-anëtarësimit në 2030.

Ai i jep fermerit rregulla të qarta , akses real në mbështetje dhe garanci se puna e mirë shpërblehet.

Ta miratojmë këtë buxhet do të thotë të zgjedhim prodhimin, cilësinë dhe eksportet,

Të zgjedhim që bujqësia shqiptare të ecë përpara, me ritmin dhe standardet e Evropës.

Faleminderit!