Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vlerëson rolin thelbësor të mjekut veterinar në garantimin e sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Në kuadër të 10-vjetorit të themelimit të Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Arjan Jaupllari, priti në një takim përfaqësuesit e Urdhrit për të diskutuar mbi sfidat dhe prioritetet e përbashkëta në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit veterinar në vend.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe trupës profesionale veterinare, me qëllim rritjen e standardeve të shërbimeve, sigurimin e cilësisë së produkteve me origjinë shtazore dhe përmirësimin e sistemeve të kontrollit veterinar në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.
Në takim morën pjesë gjithashtu presidentë të urdhrave homologë nga Europa dhe rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare veterinare, ndër të cilët z. Jason Karl Aldiss, President i Unionit Europian të Veterinerëve të Higjienës (UEVH), dhe z. Jan Bernard, Zëvendëspresident i Unionit Europian të Veterinerëve të Praktikës (UEVP).


© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë