Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Tayyar Kağan Atay, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin bujqësor dhe atë të sigurisë ushqimore.
Gjatë takimit, u vlerësua partneriteti i konsoliduar mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe u analizua ecuria e Planit të Veprimit që buron nga Deklarata e përbashkët për zhvillimin e skemave të sigurimeve bujqësore, duke marrë modelin efektiv turk TARSIM, i cili synon rritjen e mbrojtjes së fermerëve ndaj rreziqeve natyrore dhe dëmeve në prodhim.
Po ashtu, u theksua rëndësia e shkëmbimit të ekspertizës në fushën e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së bimëve mjekësore, ku pala turke shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencë teknike dhe mbështetje institucionale në funksion të rritjes së cilësisë dhe standardeve të kontrollit.
Ministri Salla nënvizoi se forcimi i këtij partneriteti do të kontribuojë në rritjen e qëndrueshmërisë dhe konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor, duke mbështetur përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të sigurisë ushqimore për konsumatorët shqiptarë.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë