Font Resize
 Informacion për publikun - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 13/03/2025

Informacion për publikun

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës me publikun, informon se ditën e sotme është konfirmuar një tjetër rast i pranisë së sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1), në një stabiliment mbarështimi dhe prodhimi shpendësh në zonën e mbrotjes së karantinuar (3 km) me vendodhje në fshatin Maliq Muҫo, Njësia Administrative Rashbull, Bashkia Durrës.
Shërbimi veterinar rajonal së bashku me perfaqësues së MBZHR janë paraqitur menjëherë në subjekt për tu njohur me gjendjen shëndetësore të shpendëve duke konstatuar 1848 shpendë të ngordhur. Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe institucionet përkatëse të varësisë kanë marrë masat në mënyrë të menjëhershme, pas njoftimit për vendosjen e stabilimentit në karantinë, ku janë marrë mostra zyrtare, të cilat janë dërguar dhe analizuar brenda ditës në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.
Pas konfirmimit nga ISUV për rezultatin pozitiv të analizimit, në MBZHR është thirrur takimi i Qendrës Kombëtare të Krizës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve edhe të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, Ministrisë për Pushtetin Vendor dhe Institutit të Shëndetit Publik.
Janë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 200 datë 3.3.2025 dhe Urdhri 240, datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”
Njoftojmë fermerët dhe mbarështuesit e cilësdo lloj specieje shpendësh se vijon të jetë e ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë, në zbatim të Urdhrit të Ministrit Nr. 240 datë 9.3.2025 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:

– Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
– Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
– Lejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë sipas tabelës 4, të shtojcës 5, të Urdhrit Nr. 177, datë 28.3.2023 “Për miratimin e Programit Kombëtar të Mbikëqyrjes së Influencës Aviare”, vetëm me autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj Sëmundjes së Influencës Aviare dhe të jenë shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në territorin e Njësive Administrative Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
Shërbimi Veterinerar Rajonal po mbikqyr dhe monitoron nëpërmjet gjurmimit dhe kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë në Laboratorin e Referencës – ISUV.
Vetëm ditën e sotme janë monitoruar 211 ferma me 2958 krerë nga 5 grupe Veterinerësh Zyrtarë të Kontrollit të pranishëm në terren. Gjithashtu, është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon fermerët dhe shpendërritësit në të gjithë vendin të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë lëvizjen e shpendëve për qëllime tregtare, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.
Për cdo rast dyshimi, kërkohet komunikimi i menjëhershëm me shërbimin veterinar rajonal në numrin e gjelbër 08003366, ose në adresën e e-mail: info@akvmb.gov.al dhe evitimi i kontaktit me shpendët e dyshuar.