Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon qytetarët se në qarkun Tiranës mbrëmjen e djeshme Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve nëpërmjet veterinerit zyrtar të shërbimit në Fshatin Paskuqan Kodër, Njësia Administrative Paskuqan ka marrë menjëherë masat për kontrollin e një fermë oborri familjar me shpendë, ku janë konstatuar 380 shpendë të ngordhur. Kampionët janë dërguar menjëherë në Laboratorin e Referencës – ISUV për diagnozë laboratorike, të cilët sot kanë rezultuar pozitivë me Influencë aviare nëntipi H5N1.
Pavarësisht se Njësia Administrative Paskuqan ka qenë e prekur dhe në karantinë për shkak të konfirmimit të mëhershëm të Influencës aviare në të, sot është mbledhur menjëherë Qëndra Kombëtare e Krizës në fuqi, me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Institucionet e varësisë, Ministria për Pushtetin Vendor, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik për koordinimin e veprimit dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra nga Qëndra Rajonale të Krizës, e cila po identifikon Njësitë Administrative përkatëse në zonat e mbrojtjes (3 km) dhe mbikqyrjes (10 km).
Prej rastit të pare të Influencës Aviare në vend Shërbimi Veterinar Rajonal ka vijuar kontrollin dhe monitorimin e zonave të prekura nga sëmundja. Është komunikuar me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura për monitorime dy-palëshe të faunës së egër në zonat lagunore e ujore, është bashkëpunuar me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për monitorimin dhe testimin e personave të kontaktit, teste të cilat deri më tani kanë rezultuar negative, është bashkëpunuar me Njësitë e vetëqeverisjes vendore në Bashkitë e prekura, si dhe është bashkëpunuar me Policinë e Shtetit për zbatimin e Urdhrave të Ministrit të Bujqësisë në fuqi për marrjen e masave parandaluese të përhapjes së virusit të Influencës Aviare nëpërmjet ndalimit të lëvizjes së shpendëve të gjallë jashtë fermave të ndodhura në Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes dhe mbikqyrjes.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton fermerët dhe qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të bashkëpunojnë me autoritetet me qëllim jo vetëm raportimin në kohë të cdo dyshimi nëpërmjet komunikimit të shpejtë në numrin e gjelbër 08003366, por dhe zbatimin rigoroz të masave të biosigurisë, kufizimin e ekspozimit të shpendëve të tyre në mjedise të hapura, për të ulur nivelin e riskut të kontaktit me shpendët bartës të virusit.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë