Prodhimi i vezëve, synohet përafrimi me standardet e BE-së - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 18/06/2024

Prodhimi i vezëve, synohet përafrimi me standardet e BE-së

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim me 11 sipërmarrës të prodhimit të vezëve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore.
Fokusi i takimit ishte diskutimi i rezultateve pozitive të auditit të detajuar nga ana e shërbimeve të Komisionit Evropian, rezultate, të cilat ishin në të njëjtën linjë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e BE-së.

“Realizuam planin e punës dhe bashkërenduam veprimet e mëtejshme për miratimin e “Programit Kombëtar të Kontrollit për Salmonelozën në pulat për vezë,” në përputhje me kërkesat e BE-së për përafrimet ligjore”, cilësoi ministrja.

Sipërmarrja shqiptare në prodhimin e vezëve ka njohur një zgjerim të konsiderueshëm të investimeve cilësore dhe bashkëkohore duke punuar me standarde të larta të sigurisë ushqimore, të cilat synojnë arritjen e tregjeve elitare ndërkombëtare.