Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi se 10.1
milionë turistë, që prekën tokën shqiptare vitin e kaluar shijuan
njëkohësisht një kulinari fantastike, ndërsa ushtruan edhe një presion
të ofertës ushqimore, e cila tejkaloi me gati 1.5 herë vlerën e
eksporteve për të cilën ne, me shumë sakrifica, kemi arritur në vitin
2023.
Në konferencën “Vera 2024, siguri, mikpritje, shërbime dhe
infrastrukturë për pushuesit”, që u mbajt në Tiranë, ku të pranishëm
ishin kryeministri Edi Rama, si dhe aktorë të fushës, ministrja Denaj
mori angazhimin për sigurimin e një oferte ushqimore cilësore.
“Referuar shifrave, ky vit do të jetë akoma edhe më i suksesshëm në
raport me ofertën ushqimore, e cila së bashku me eksportet parashikon
të arrijë një vlerë me 2 miliardë dollarë. Kjo na vë përpara disa sfidave
të gjithëve: përpunuesit, prodhuesit, fermerët, por edhe Ministrinë e
Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka një detyrim, dhe punën për të
cilën e ka nisur prej kohësh për të siguruar një ofertë ushqimore
cilësore, të miretiketuar, konform ligjit, ashtu sikundër një transparence
të rritur në raport me përbërësit e deklaruar”, u shpreh Denaj.
Në këtë kontekst, ministrja Denaj informoi se Autoriteti Kombëtar i
Ushqimit, Autoriteti Kombëtar për Veterinarinë dhe Mbrojtjen e
Bimëve, por njëkohësisht edhe gjithë institucionet e tjera, janë
udhëzuar prej kohësh për të qenë të angazhuar në terren para dhe
gjatë gjithë sezonit veror turistik.
“Për ne garantimi i sigurisë ushqimore nuk nis sot, nuk nis në nisjen e
sezonit turistik. Sigurisht, intensifikohet, por është një punë e
vazhdueshme për gjatë gjithë vitit dhe kjo punë realizohet që në
momentin e certifikimit të farave dhe fidanëve. Nga janari 2024 e deri
tani janë certifikuar rreth 8 milionë fidanë perimorë, 190 800 fidanë
frutorë, si dhe 367 kv farë e kultivarëve të ndryshëm. Vijon gjithashtu
me regjistrimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve, për të pasur një
pasqyrë të qartë të përdorimit të produkteve plehëruese dhe
pesticideve dhe njëkohësisht për të realizuar gjurmueshmërinë e tyre”,
deklaroi ministrja.
Shqipëria, tha ajo, ka realizuar vitet e fundit një situatë episodike të
pastër në mbarë vendin.
“Dhe kjo jo gjithmonë është vetëm fat, është një punë e përkushtuar e
strukturave. Sigurisht garantojmë që edhe këtë vit do të kemi një
situatë të pastër, pasi njëkohësisht po kryejmë vaksinimin e të paktën
1.8 milionë krerëve të imëta kundër brucelozës, e ndërlidhur dhe e
koordinuar edhe me gjurmimin, duke ulur në nivele minimale rrezikun
për jetën e njerëzve”, u shpreh Denaj.
Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, vuri në dukje ministrja,
ofron 1631 teste analitikë, të cilat janë të njohura në nivel evropian e
më gjerë. “Sapo kemi kaluar me shumë sukses mirëmbajtjen e 1367
testeve ekzistuese dhe siguruam certifikatat e akreditimit për 264 teste
që realizojmë me sukses në Shqipëri”, deklaroi Denaj.
Sigurisht, shtoi Denaj, që siguria ushqimore lidhet jo vetëm me ciklin
nga fara, fidanët e deri në tryezë, por njëkohësisht edhe me një
ndërgjegjësim, që mbështetet edhe me politikat fiskale.
“Më paketën fiskale të vitit të shkuar u mbështetëm në atë që quhet
“luftë biologjike”. Me ndryshimet në ligjin “Për TVSH-në” u përjashtuan
nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import, jo vetëm kafshët e racës së
pastër për riprodhim, por njëkohësisht bletët dhe insektet që
zëvendësojnë pesticidet. Lufta biologjike është shumë e rëndësishme
për t’u vendosur në prioritet për të gjithë fermerët dhe punonjësit”, tha
Denaj.
Ministrja siguroi se do të vijohet me forcimin e hallkave të këtij zinxhiri,
duke shtuar e forcuar kontrollet.
Por, ajo vuri theksin në faktin se është shumë e rëndësishme që të
parandalohen situata, të cilat kontrollet i evidentojnë. “Andaj, flasim
për një zinxhir të shëndetshëm nga fara, në tryezë.”
Ajo vlerësoi edhe rolin e fermerëve, blegtorëve, përpunuesve dhe
prodhuesve, të cilët, u shpreh Denaj, me punën e tyre kanë dhënë një
vlerë shumë të madhe të kulinarisë shqiptare, të produktit “Made in
Albania” që po promovojmë nga Veriu në Jug në një “Strategji të
Agroturizmit”, e cila, sipas saj, do të jetë jo vetëm e suksesshme, por do
të ngrejë edhe më tej vlerat e produkteve shqiptare.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë