Cilësia dhe siguria ushqimore, Denaj: Përafrim me BE-në dhe zgjerim i tregut të eksporteve - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 21/11/2023

Cilësia dhe siguria ushqimore, Denaj: Përafrim me BE-në dhe zgjerim i tregut të eksporteve

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) zhvilluan sot në Tiranë, Forumin e parë Kombëtar për Cilësi dhe Standarde.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj së bashku me ambasadoren e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber dhe përfaqësuesen e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, hapën punimet e Forumit, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të linjës, ekspertë të fushës dhe aktorë që operojnë në sektorin e bujqësisë.
Në fjalën e mbajtur me këtë takim, ministrja Denaj u shpreh se, “rritja e cilësisë dhe standardeve të produkteve bujqësore, mbetet thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm të prodhimit agroushqimor; integrimin e inovacionit në bujqësi, bashkimin e operatorëve dhe realizimin e objektivit për 1 miliard USD eksporte shqiptare në 2030″.
Sipas saj, vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një transformim të thellë ekonomik, duke shënuar rritje të ndjeshme në sektorin bujqësor dhe një zgjerim të dukshëm të turizmit me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë bujqësore.

“Në shifra ne flasim për fundin e 2022-it me një numër të konsiderueshëm të rritjes së eksporteve në dy aspekte: në vlerë, ku flasim për një shifër 500 milionë usd dhe zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare që është rritur në 80 vende, ku vlera mesatare e çmimit të eksportit për here të parë në 2023 e tjejkaloi dhe atë të imporitit dhe tendenca në rritje është një arritje që vlen të përmendet. Këtu flasim për tregje elitare dhe ky është mesazhi i parë që dua të jap në këtë tendencë të rritjes, sepse tregjet elitare jo vetëm punës sç sipërmarrësve u japin çmimin e duhur, por do të thotë që kanë njohur progresin e sipërmarrjes drejtë cilësisë dhe standardeve, prandaj e vendos në fokus përtej një numri eksportesh në veçanti. Së dyti, flasim për një konsum të brendshëm shumë të zhvilluar në vitin 2023, si rezultat i një zhvillimi fantastik të sektorit të turizmit, ku kërkesa për produkte ushqimore u përballua me shumë sukses nga prodhimi vendas”, tha Denaj.

Ministrja përgëzoi sipërmarrjen shqiptar që për here të parë në 8-mujorin e 2023, rriti me 17,3 % konsumin e brendshëm, që në shifër përfaqëson 650 milionë usd të konsumit të brendshëm, teksa vuri në dukje se, “sfidë mbetet, përputhja me standardet e sigurisë ushqimore dhe të cilësisë, që janë kritike për përafrimin me BE-në dhe kërkesat e tregut të eksportit”.
Gjatë fjalës së saj, Denaj vlerësoi Programin Global të Cilësisë dhe Standardeve (GSQP) në Shqipëri, të mbështetur nga qeveria zvicerane, që ka qenë i rëndësishëm në forcimin e cilësisë dhe ka rritur në mënyrë të qëndrueshme aksesin në treg të SME-ve në sektorët e bimëve aromatike dhe fruta perimeve, që kryesojnë në eksportet ‘Made in Albania’.
“Mbetet një prioritet absolut ndërgjegjësimi i operatorëve për rolin dhe rëndësinë e institucioneve të Infrastrukturës së Cilësisë dhe nevoja për rritjen e kapaciteteve të laboratorëve vendorë dhe organizmave certifikues” deklaroi Denaj. Gjithashtu vijoi ajo, iniciativa e programeve të trajnimit dhe përshtatja ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike në prodhim, janë kyçe për nxitjen e një sektori të përgjegjshëm dhe elastik agro-ushqimor.

Ministrja solli në vëmendje të pjesëmarrësve, angazhimin e qeverisë për mbështetje të sektorit të bujqësisë në drejtim të rritjes së cilësisë dhe standardeve.
“Në buxhetin e vitit 2024 vimë me një rritje të mbështetjes buxhetore, për infrasturkturën e sigurisë ushqimore me 25% krahasuar me 2023. Flasim për një mbështetje me Bankën Botërore në mbështejte të Sigurisë Ushqimore, por njëkohësisht edhe për një mbështetje të paketës fiskale 2024, që përjashton nga TVSH-ja insektet që zëvendësojnë pesticidet, duke stimuluar prodhimit organik” tha Denaj.

Ajo u ndal në domosdoshmërinë strategjike për harmonizimin e infrastrukturës tonë të cilësisë me standardet ndërkombëtare, për të siguruar konkurrencën dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sektorit agro-ushqimor.

“Së bashku me biznesin, ne jemi të përkushtuar për të rritur cilësinë dhe standardet në sektorin agro-ushqimor të Shqipërisë, si një investim për produktivitet në afatmesëm dhe siguron akses të skportevenë tregjet ndërkombëtare ”, deklaroi Denaj.

Programi GQSP është pjesë e një nisme globale që mbështet 12 vende në mbarë botën për të rritur potencialin e prodhimit vendas dhe për të rritur cilësinë dhe standardet e sigurisë. Zbatimin e bën Organizata e Kombeve të Bashkuar për Zhvillim Industrial (UNIDO) dhe financohet nga shteti zviceran, përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO).
Në Forumin e parë të Cilësisë dhe Standardeve, merrnin pjesë mbi 150 pjesëmarrës që përfaqësojnë qeverinë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, politikëbërësit, ekspertët, institucionet e Infrastrukturës së Cilësisë, autoritetet e sigurisë ushqimore, konsumatorët, fermerët, prodhuesit të cilët diskutuan mbi sfidat me të cilat përballet sektori bujqësor dhe rritjen e potencialit të prodhuesve të vegjël duke promovuar cilësinë, standardet, digjitalizimin dhe inovacionin.