Nga 1 janari zero TVSH në import për kafshët për riprodhim, bletët dhe insektet që zëvendësojnë pesticidet - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 20/11/2023

Nga 1 janari zero TVSH në import për kafshët për riprodhim, bletët dhe insektet që zëvendësojnë pesticidet

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se nga janari i vitit që vjen përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import kafshët e racës së pastër për riprodhim, bletët dhe insektet që zëvendësojnë pesticidet.

Denaj tha se, “Ndryshimet në ligjin “Për TVSH” janë pjesë e Paketës Fiskale 2024 që miratuam sot në Kuvend dhe krijojnë lehtësi në nxitjen e prodhimit blegtoral, zhvillimin e bletarisë dhe prodhimin organik bujqësor”.

“Me ndryshimet në ligjin “Për TVSH”, përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import kafshët e racës së pastër për riprodhim, bletët dhe insektet që zëvendësojnë pesticidet. Këto lehtësi ndihmojnë sektorin e prodhimit me rritjen e numrit të krerëve në blegtori dhe nxitjen e prodhimit blegtoral, zhvillimin e sektorit të bletarisë, stimulimin e prodhimit organik dhe luftës me metoda organike në bujqësi, përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme”, deklaroi ministrja Denaj.
Kuvendi miratoi të hënën në parim me 73 vota, ndryshimet në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, i cili parashikon përjashtimin nga TVSH për importimin e mëshqerrave, bletëve dhe insekteve.

Përmes këtij ndryshimi, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural synon nxitjen e importit të mëshqerrave dhe insekteve (përfshirë edhe bletët), me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë, zhvillimin e sektorit të bletarisë, stimulimin e prodhimit bio, duke eliminuar përdorimin e hormoneve dhe praktikave të zakonshme, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme.

Konkretisht ndryshimet në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” parashikojnë përjashtimin nga TVSH të mëshqerrave të racës së pastër për riprodhim, që përfshihen në kodin 0102 21 10 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave si dhe insekteve, të cilat përfshihen në kodet 0106 41 00, 0106 49 00 dhe 0106 90 00 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave.
Kjo masë pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë së produkteve dhe përmirësimin e imazhit të produkteve vendase, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Zbatimi i kësaj dispozite parashikohet të sjellë një efekt financiar negativ prej 155 milionë lekësh në buxhetin e shtetit.