Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti dhe Ministri i Bujqësisë së Hungarisë z. Sandor Fazakas nënshkruan në Budapest, Memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e Bujqësisë, që do t’i hapë rrugë forcimit të bashkëpunimit në këtë sektor jetik për të dy vendet dhe do të rrisë më tej shkëmbimet tregtare. Në takimin dypalësh që zhvilloi me homologun Fazakas, Ministri Panariti u shpreh se Shqipëria dhe Hungaria duhet të identifikojnë pikat ku secili vend ka avantazhe krahasuese dhe të forcojnë shkëmbimet tregtare. Panariti u shpreh se Shqipëria mund të importojë prej Hungarisë produktet e mishit, pulat, etj ndërsa Hungaria mund të importojë prej Shqiperisë frutat e perimet për të cilat kemi avantazh pasi dalim në treg më heret se vendet e tjera të Europës.
Ndërkohë Ministri Panariti kërkoi prej Ministrit Fazekas që Hungaria të ofrojë eksperiencën e vet në procesin e integrimit në BE, konkretisht në sektorin e kontrollit të cilësisë së produkteve, në sektorin e statistikave, të ushqimit të kafshëve etj.
Më pas dy ministrat firmosën Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e bujqësisë, ku dy palët angazhohen për të nxitur bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe agroindustrisë, për shkëmbim eksperience ne krijimin e pikave të grumbullimit, shkëmbim experience në politikat bujqësore, bashkëpunim institucional, akademik, kërkimor, në fushën e statistikave bujqësore, ofrimin e bursave për studentët në sektorin e agrobiznesit etj.
Ministri Fazakas tha se ky memorandum është hapi i parë që i paraprin një forumi të biznesit Shqipëri -Hungari. Ai sugjeroi krijimin e një grupi pune mes dy Ministrive që të punojnë për gjithë pikat e këtij memorandumi.
Ky takim u zhvillua gjatë Forumit Global për Bujqësinë Familjare. Ministri Panariti uroi Ministrin Fazakas për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm, ku Shqipëria ka c’të përfitojë pasi rreth 90 % e bujqësisë në Shqipëri, është bujqësi familjare.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë