10 milionë euro investim për vaditjen e tokave bujqësore, nis në jug të vendit rehabilitimi i sistemit të Janjarit - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 25/06/2020

10 milionë euro investim për vaditjen e tokave bujqësore, nis në jug të vendit rehabilitimi i sistemit të Janjarit

 

10 milionë euro investim për vaditjen e tokave bujqësore, nis në jug të vendit rehabilitimi i sistemit të Janjarit

Ka nisur në jug të vendit një nga investimet më të mëdha në infrastrukturën vaditëse të tokave bujqësore. Përmes një kredie 10 milionë euro të marrë nga Banka Botërore, qeveria shqiptare do të rehabilitojë sistemin e Janjarit në Konispol. Gjatë fillimit të punimeve ka qënë i pranishëm ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, kryebashkiaku dhe deputetë të zonës, si dhe përfaqësues të kompanisë që do të kryejë punimet. Nga ky sistem do të vaditen rreth 5 mijë Ha tokë bujqësore.
“Kemi ardhur sot për të filluar punimet e një nga veprave më të mëdha të sistemeve vaditëse të Shqipërisë siç është sitemi i Janjarit. Ne vazhdojmë të mbajmë premtimin e madh që kemi bërë për të çuar ujë në çdo parcelë dhe sistemi i Janjarit me një kapacitet ujitës rreth 5 mijë Ha në të gjithë zonën do të mbulojë përfundimisht vaditjen e fushave të Shalsit, të Vrinës, të Mursisë dhe të Bufit. Këto fusha do të furnizohen nga rreth 20 milionë m3 ujë të cilat do të shpërndarhen nëpërmjet këtij sistemi”, tha ministri Çuçi.
Krahas rehabilitimit të sistemit vaditës të një rrjeti prej rreth 100 km kanale, ky projekt do të shoqërohet edhe me përmirësim të infrastrukturës rrugore të zonës. Punimet parashikohet të përfundojnë pas 8 muajsh. Ky projekt parashikon të realizojë një kombinim të dy tipeve të ujitjes: 1) ujitjen me presion (me tubo metalike); 2) ujitjen me gravitet (kanale te hapura) duke shfrytëzuar disnivelin natyral të cilin ka kanali i Janjarit me fushat e Shalësit, Mursisë, Vrinës dhe Bufit.