Takimi i nëntë i SWG me Ministrat e Bujqësisë të vendeve të Europës Jug-Lindore.
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave së bashku me Regional Rural Development Standing Working Group (SWG) në Europën Jug-Lindore kanë organizuar sot Takimin e nëntë të SWG me Ministrat e Bujqësisë të vendeve të Europës Jug-Lindore.
Diskutimet e takimit janë fokusuar në të ardhmen e bashkëpunimit midis vendeve të Europës Jug-Lindore për reformat në sektorin e bujësisë dhe zhvillimit rural në procesin e integrimit ne BE.
Në fjalën e tij, ministri Panariti theksoi domosdoshmërinë e këtij bashkëpunimit rajonal për të përshpejtuar së bashku të gjithat reformat e këkuara nga BE.
“Qëllimi ynë është që të vazhdojë zbatimi i skemave aktuale të mbështetjes me rritjen e nivelit të financimit të përgjithshëm nga buxheti kombëtar.
Një shqetësim i madh do të jetë përqasja për të mbështetur fermerët e vegjël të cilët nuk mund të jenë ekonomikisht të qëndrueshëm. Këta fermerë do të vazhdojnë të përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të prodhimit bujqësor në të ardhmen.
Qëllimi për lehtësimin e zhvillimit të strukturave në sektorin e bujqësisë dhe përafrimi me BE do të arrihet përmes iniciativave të mëposhtme: 1.Regjistrimi i fermerëve në regjistrin e fermës dhe në regjistra të ngjashëm (regjistri i kafshëve, LPIS, etj), prezantimi me Sistemin e Kontrollit dhe Administrimit të Integruar (IACS)dhe 2.Prezantimi me parimet e kontabilitetit dhe menaxhimit në fermë
Së fundmi, politikat në vazhdim me qëllim lehtësimin në kredidhënie për bizneset rurale, ndër të tjera nën Fondin e Garantimit të Kredive, do të forcohen me perspektivën e investimeve në prodhimin bujqësor dhe përpunimin e ushqimit, gjithashtu edhe në kuadrin e programit IPARD II.
Me synim, anëtarësimin në BE si dhe përpjekjeve të bëra deri më tani për t’iu përgjigjur kritereve duke shpresuar hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë para se të anëtarësohemi, ky vendim drejt kësaj rruge është një hap i rëndësishëm. Programi IPARD II është miratuar me Vendim të Komisionit të 20 korrikut 2015,në vijim të opinionit të favorshëm nga komiteti i IPA II më 30 qershor 2015.
Pas ratifikimit nga Parlamenti të Marrëveshjes Kuadër në prill, marrëveshja sektoriale midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian që përcakton rregullat për menaxhimin dhe zbatimin e fondeve IPARD u miratua nga Qeveria në korrik. Programi IPARD 2014-2020 u miratua në Korrik. Shqipëria dhe Komisioni Evropian arritën të firmosnin Marrëveshjen Kuadër të IPA (hyrë në fuqi më 16 prill 2015) dhe Marrëveshjen Sektoriale (nënshkruar në Bruksel më 25 shtator). “Dhënia e besimit me detyrat e zbatimit të buxhetit” për Shqipërinë nga Komisioni është hapi i fundit për të na mundësuar në menaxhimin e fondeve të asistencës së para-aderimit për bujqësinë dhe zhvillim rural në emër të Komisionit Evropian.
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR, gjithashtu e quajtur ndryshe si Agjencia e Pagesave) është ngritur me qëllim zbatimin e masave mbështetëse kombëtare për sektorët e bujqësisë, ushqimit dhe zhvillimit rural në krye të zbatimit të masave para dhe pas anëtarësimit.
Qeveria Shqiptare është e angazhuar për të rritur tregtinë rajonale. Marrëdhëniet e saj tregtare janë të lidhura ngushtë me vendet e rajonit dhe tregun e BE-së.
Megjithatë, Shqipëria përballet me disa sfida për sa i përket prodhimit të saj bujqësor. Ajo ka nevojë të përmirësojë bilancin tregtar, pasi aktualisht kjo është shumë në favor të importeve. Ambicia e kësaj qeverie është që të kemi brenda 4 viteve të para të mandatit të saj një raport të përmirësuar eksporti – importi.
Për të arritur këtë, ne kemi nevojë të adresojmë dy çështje në të njëjtën kohë: së pari, ne duhet të përballemi me problemet që sektori ka, si çështjet e gjurmueshmërisë, standardet e produkteve, dhe trajtimin e produkteve bujqësore pas vjeljes të kërkuara nga sektori modern i shitjes me pakicë.
Si rrjedhojë, në bashkëpunim të ngushtë me fqinjët tanë ne do të zhvillojmë mekanizmat e tregut që të sigurojmë tregje të konsoliduara të cilat plotësojnë nevojat e konsumatorëve duke plotësuar kërkesat e njëri-tjetrit”-tha ministri Panariti.
Media prezente në konferencën për shtyp e organizuar nga sekretari i përgjithshëm i Grupit për Zhvillimin Rural Regjonal Boban Iliç, kanë pyetur pse prodhimet bujqësore shqiptare po bllokohen nga pala maqedonase në pikën kufitare të Bllacës, me argumentin e certifikatave jo të rregullta fitosanitare. Kjo u deklarua ndërsa ministrat e Europës Juglindore po bisedojnë në Tiranë për forcimin e bashkëpunimit rajonal, nga kreu i dikasterit të Bujqësisë shqiptare, Edmond Panariti.
Ministri Panariti theksoi se kjo është “luftë tregtare” e vërtetë, që nuk duhet të ndodhë më.
Sipas tij, kjo është një situatë e përsëritur nga autoritetet doganore të shtetit fqinj, si pasojë se së cilës janë penalizuar prodhuesit shqiptarë dhe asnjëherë nuk janë marrë masat e duhura, që ky fenomen të mos përsëritet më.
Ministri Panariti prezantoi në konferencë edhe procesin e formalizimit të fermerëve shqiptarë që, sipas tij, nuk është penalizues.
Ministri Edmond Panariti drejtoi takimin e 9-të të ministrave të Bujqësisë së rajonit, pasi Shqipëria merr edhe Presidencën e radhës të Grupit për Zhvillimin Rural Regjonal.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë