Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim
publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10416 datë
7.4.2011, Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor” të ndryshuar”,
si pjesë e Programit të Përgjithshëm Analitik të Projektakteve.
Qëllimi kryesor i ndryshimeve, është rregullimi ligjor i procesit të
regjistrimit të farërave të importit që hyjnë në Shqipëri dhe përdoren nga
fermerët tanë, duke mundësuar kështu regjistrimin e varieteteve të reja
në Katalogun Kombëtar pasi ti nënshtrohen procedurave të testimit dhe
miratimit.
Regjistrimi mundësohet vetëm kur vërtetohet se varieteti është testuar
për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet (testi DUS), është miratuar si
varietet i ri dhe është caktuar personi përgjegjës për ruajtjen e tij, është
vërtetuar e drejta për përdorimin e këtij varieteti, si dhe plotëson
standardet e pranueshme për vlerën e kultivimit dhe përdorimit (testi
VKP), të miratuara me vendim të Komisionit të Regjistrimit të
Varieteteve.
Nëpërmjet rregullimit dhe saktësimit të këtij procesi, fermerit i evitohen
kostot e panevojshme për shumëzimin e farës. Për më tepër, sigurohet
cilësia e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor për mbështetjen e
prodhimit bujqësor, si dhe garantohet mbrojtja e interesave të fermerit si
dhe të grupeve të interesit për fuqinë mbirëse të materialit mbjellës
shumëzues bimor që vendoset në treg.
Ndryshimi ligjor gjithashtu rregullon aksesin e informacionit për palët e
interesuara, institucionet zyrtare të kontrollit si dhe për fermerët,
nëpërmjet publikimit të Katalogut Kombëtar në faqen zyrtare të Entit
Shtetëror të Farave dhe Fidanëve dhe të Ministrisë si dhe përditësimin sa
herë që pëson ndryshime.
Një tjetër problematikë e rëndësishme e cila gjen zgjidhje me
ndryshimet e ligjit, ka të bëjë me ngërcin ligjor krijuar nga ligji actual, i
cili referon në detyrimin për hartimin dhe nxjerrjen e VKM-ve si bazë
ligjore për zbatimin e tij, ende sot të pa hartuara dhe miratuara. Në thelb,
përmbajtja e tyre është e një natyre teknike që nuk i shtrin efektet në
institucione të tjera përvec MBZHR-së. Jo vetëm kaq, por në rast se disa
nga referencat ligjore do të ndryshohen, rrjedhimisht do duhet të
ndryshohen dhe VKM-të, proces ky që do të krijonte pengesa mbi të
gjithë aktivitetin që parashikohet për materialin mbjellës dhe shumëzues
bimor. Me ndryshimet ligjore, është gjetur zgjidhja ligjore e tejkalimit të
kësaj pengese duke zëvëndësuar VKM-në me Udhëzim Ministri.
https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/732
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë