Shqipëria dhe Turqia do të rrisin nivelin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore.
Në këtë kuadër, një delegacion i nivelit të lartë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i kryesuar nga Zëvendësministri Arian Jaupllari, zhvilloi një vizitë në Ankara, ku u prit nga homologu turk, Ahmet Bağcı.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi disa fusha bashkëpunimi, si skemat e mbështetjes së fermerëve, funksionimi i skemës së sigurimit në bujqësi, gjurmueshmëria dhe mbrojtja e bimëve dhe kafshëve për sigurinë e konsumatorit “nga ferma në tavolinë”, si dhe funksionimi dhe modernizimi i laboratorëve për kontrollin e zinxhirit ushqimor. Pala turke premtoi asistencë teknike për vendin tonë në këto fusha.
Gjatë kësaj vizite u zhvilluan gjithashtu takime teknike mes ekspertëve të të dy palëve, të cilët shkëmbyen eksperienca dhe modelet që ndjekin në të gjithë procesin e sigurisë ushqimore. Kjo vizitë u realizua në vijim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar pak muaj më parë në Tiranë nga dy ministrat përkatës.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë