Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Dritan Palnikaj, mori pjesë në takimin ministror “Qëndrueshmëria, inovacioni dhe bashkëpunimi në ekonominë blu për detin Adriatik”, që u mbajt në Ankona, Itali.
Ky takim bashkoi ministra dhe ekspertë nga rajoni për të diskutuar zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve të peshkimit dhe akuakulturës në detin Adriatik.
Në fjalën e tij, z. Palnikaj theksoi angazhimin e Shqipërisë për modernizimin e infrastrukturës bregdetare, mbështetjen e fortë për sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, si dhe rritjen e eksportit të produkteve shqiptare.
Një tjetër element i rëndësishëm që z. Palnikaj theksoi ishte fuqizimi i komuniteteve bregdetare dhe formalizimi i sektorit, përmes mbështetjes të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në kuadër të këtij angazhimi, ai informoi se Shqipëria po finalizon Planin Kombëtar të Veprimit për Peshkimin Artizanal, i cili do të shoqërohet me ndërtimin e nëntë pikave të uljes përgjatë bregdetit dhe në zona të brendshme, përfshirë Kepin e Rodonit, Velipojën, Liqenin e Prespës dhe Tale.
“Këto investime, të cilat kanë një vlerë të përgjithshme prej më shumë se 10 milionë euro, synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e aksesit në treg dhe sigurinë e sektorit”, deklaroi Palnikaj.
Palnikaj gjithashtu riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për procesin e integrimit europian, duke vënë në dukje se vendi ka përfunduar skanimin e legjislacionit dhe po punon për harmonizimin ligjor në sektorët e peshkimit dhe akuakulturës.
Shqipëria planifikon të përmbyllë procesin e harmonizimit deri në vitin 2026, një hap i rëndësishëm për përmbushjen e kritereve të Bashkimit Europian dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal për një Adriatik të qëndrueshëm dhe të menaxhuar mirë.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë