RIKUPERIMI I DËMEVE NË BUJQËSI DHE KTHIMI I KAPACITETEVE PRODHUESE
Shqipëria në muajin shkurt 2015 u godit nga rreshje që shkuan deri në 200 mm në vetëm tre ditë. Rajonet më të prekura ishin në jug dhe juglindje të Shqipërisë. Rreth 10,000 ha tokë bujqësore u dëmtuan në rajonet e Vlorës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës. Shumica e dëmeve ishin në bujqësi me dëmtime në një sërë kulturash bujqësore, bimë foragjere, ndjekur nga dëmtimet në sera për prodhimin e hershëm të perimeve dhe frutave. Nën-sektori i blegtorisë u dëmtua në një masë më të vogël, edhe pse mungesa e ushqimit në muajt e ardhshëm do të ndikonte negativisht në prodhimet shtazore. BE-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, hartuan një program të rimëkëmbjes nga përmbytjet që shkonte përtej restaurimit të thjeshtë të para-vërshimeve dhe synonte rritjen e rezistencës në aspektin e infrastrukturës, institucionale dhe implikimeve sociale.
Projekti “Rikuperimi i dëmeve bujqësore dhe kthimi i kapaciteteve prodhuese” ka hyrë në një fazë të re, me drejtim: rritjen e aftësisë së reagimit të fermerëve ndaj fatkeqësive të tilla në komunitetet rurale dhe forcimin e shërbimit këshillimor bujqësor e të aktorëve të tjerë, si Qendrat e Transferimit të Teknologjive bujqësore, shërbimet në nivel bashkie, universitetin bujqësore dhe OJQ-ve të përfshirë në ofrimin e shërbimeve për fermerët dhe/ose të gatshëm për të investuar për zhvillimin ekonomik lokal.
FAO, në bashkëpunim me Ministrinë, po mbështet zhvillimin e kapaciteteve nëpërmjet një programi trainimi në 6 rajonet (Vlorë, Fier, Lushnjë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër) e dëmtuara. Përmbajtja e programit të trainimit përfshin një gamë të gjerë temash si: “Rreziqet Natyrore dhe Ndryshimet Klimatike në Shqipëri”, “Ndikimi i ndryshimeve klimatike në Bujqësi”, “Praktikat e mira bujqësore për reduktimin e rriskut nga dëmtimet”, “Ndikimi i ndryshimeve klimatike në menaxhimin e integruar të dëmtuesve dhe siguria ushqimore”. Programi i trainimit filloi në zonat më të dëmtuara të qarkut Fier: Darzezë, Povelçë, Hekal, duke vazhduar me qarkun e Beratit, Korçës, Lushnjes, Gjirokastrës dhe Vlorës, me një interes të madh nga ana e fermerëve për të zbatuar në fermën e tyre praktikat më të mira në mënyrë që të përballojnë kushtet atmosferike të pafavorshme dhe të ruajnë e rrisin kapacitetet e tyre prodhuese.
Programi i trainimit u përmbyll në Tiranë me pjesëmarrjen e punonjësve të ministrisë, AKU-së, QTTB-së, Universitetit Bujqësor të Tiranës, OJP-ve dhe AZHBR-së. Programi i trajnimit u ndoq nga 727 fermerë dhe 137 ekstensionistë dhe punonjës të institucioneve të tjera. Pjesëmarrësit vlerësuan temat e trajtuara, materialet e shpërndara dhe u shprehën që trajnime të tilla janë shumë të domosdoshme për punët në fermë.
Një nga sygjerimet më të rëndësishme dhe e shprehur nga shumica e fermerëve ishte që njohuri të tilla të jepen në vazhdim dhe që shërbimi ekstensionit duhet të jetë në kontakt të vazhdueshëm me fermerët pasi problemet në fermë janë të shumta dhe trajtimi i tyre kërkon njohuri dhe teknika të reja.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë