Font Resize
 Rëndësi dhe përkushtim ndaj vlerës së partneritetit publik – privat në ekonominë shqiptare - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 27/10/2017

Rëndësi dhe përkushtim ndaj vlerës së partneritetit publik – privat në ekonominë shqiptare

Gjate vizitës në Qarkun e Elbasanit, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi vizitoi stabilimentin e përpunimit të peshkut, “Rozafa”, siç e cilësoi “Kombinati i Përpunimit të Peshkut”, një investim privat me standarde të larta evropiane.

“Mund të flasësh pa pushim, mund të mbash një seancë parlamentare vetëm me mesazhet që merr nga vizita në këtë stabiliment. Së pari, ajo që të bie drejtëpërsëdrejti në sy, është sesa shumë fuqi dhe sa shumë energji mund të çlirohet, kur shteti dhe privati hyjnë në partneritet me njëri-tjetrin. Partneriteti publik – privat kaq shumë janë atemuar nga ata, që mbase nuk e njohin Shqipërinë reale, apo nuk kanë vizituar asnjëherë qendra të tilla ekonomike. Në fakt këtu ka provuar se është një skemë, apo një mënyrë bashkëpunimi, e cila ka prodhuar mijëra vende pune.”

“… Falë një partneriteti apo bashkëpunimi, që shteti, i cili kishte një aset në rrënim e sipër, rrënojat janë ruajtur në formën e një muzeumi këtu, dhe unë ju përgëzoj për kthimin e tyre në një monument, që me të vërtetë duhet të ruhet nga shteti, i këtyre rrënojave, për të treguar sesi mund të transformohet një energji e fjetur, apo një aset i fjetur, falë bashkëpunimit me privatët, në një ndërmarrje kaq të madhe ekonomike.”

Ministri ka nënvizuar nevojën e një orientimi të drejtë të skemës së mbështetjes në sektorin bujqësor.

“… Duhet t’i orientojmë ne, p.sh në skemën kombëtare të mbështetjes, që vitin që vjen, do jetë më e larta që kemi patur ndonjëherë. Do të jetë rreth 26 milion dollarë, vetëm skema nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, që presim të hapet dhe IPARD-i, 93 milion euro program. Pra mundësi financiare kemi të shumta, por duhet t’i adresojmë me shumë zgjuarsi…”- tha ndër të tjera në fjalën e tij Ministri Peleshi.

Stabilimenti “Rozafa” është një investim i suksesshëm, me produkte, të cilat kanë pushtuar tregjet ndërkombëtare dhe sipas Ministrit të Bujqësisë është një shembull për të gjithë sipërmarrjen shqiptare.

Ministri ka garantuar një mbështetje maksimale në lidhje me sektorin e peshkimit, përpunimit dhe eskportit të tij, si nga sektorët, që kanë kapur nivelet më të larta në eksportet shqiptare, duke treguar potenciale të mëdha.