Font Resize
 Qeveria miraton projektvendimin për aktivitetin agrifotovoltaik dhe eolik në tokat bujqësore - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 12/06/2024

Qeveria miraton projektvendimin për aktivitetin agrifotovoltaik dhe eolik në tokat bujqësore

Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin e iniciuar nga Ministria Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për përdorimin e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit agrifotovoltaik dhe eolik në tokat bujqësore.
Ky projektvendim vjen në zbatim të Ligjit nr. 9244/2004, “Për mbrojtjen e tokës” dhe synon rritjen e prodhimit të energjisë që do të përdoret nga fermat që funksionojnë pranë këtyre tokave bujqësore me bonitet 7 dhe 8.

Projektvendimi përcakton kriteret e përdorimit të tokës bujqësore për aktivitetin agrifotovoltaik dhe eolik, procedurat për monitorimin e ushtrimit të aktivitetit përfshirë masat për shkelje të kushteve të ushtrimit të aktivitetit dhe tarifën që paguajnë subjektet që tregtojnë energjinë e prodhuar në centralet e energjisë së rinovueshme agrifotovoltaike në toka bujqësore.

Kombinimi i agrikulturës me energjinë fotovoltaike dhe eolike ka potencialin për të rritur rentabilitetin ekonomik të dy sektorëve, në përdorim më të gjerë të tokës për kulturat e duhura bujqësore dhe rritur efiçencën energjitike.