Projekti "Fishing Blue": Prezantohet Manuali “Inspektimi në det” - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 17/12/2021

Projekti “Fishing Blue”: Prezantohet Manuali “Inspektimi në det”

Në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u mbajt më 16 dhjetor një takim prezantues i Manualit operacional “Inspektimi në det” me inspektorët e peshkimit.
Në aktivitet morën pjesë Zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Roland Kristo; Drejtuesi i Operacioneve për Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Andrea Vera; Drejtues i Ekipit të Projektit Fishing Blue “Mbështetje për Sektorin e Peshkimit në Shqipëri”, Z. Lucio Trifiletti; Koordinatori Lokal i Projektit Z. Arjan Palluqi dhe dy ekspertë italianë në fushën e peshkimit.
Zv. Ministri Roland Kristo në fjalën e tij u ndal në rëndësinë e rezultateve të prodhuara nga Projekti i Fishing Blue “Mbështetje për Sektorin e Peshkimit në Shqipëri”, i cili po zbatohet pranë Ministrisë prej më shumë se tre vitesh. Sipas tij nëpërmjet rezultateve të projektit po adresohen disa prej rekomandimeve të Komisionit Evropian në Progres Raportet e përvitshme për Shqipërinë në sektorin e peshkimit. Mbërritja sipas tij e dy anijeve vitin e ardhshëm të financuara nga Bashkimi Evropian do të kontribuojnë në cilësinë e inspektimeve në det dhe kontrollin e bregdetit shqiptar.
Përfaqësuesi i Delegacionit Evropian në Shqipëri, Z. Andrea Vera theksoi se Manuali i Inspektimit në det do të shërbejë si një mekanizëm për të rritur cilësisht performancën e inspektorëve gjatë kontrolleve në det.
Drejtues i Ekipit të Projektit Fishing Blue, Z. Lucio Trifiletti, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë e Bujqësisë, për ecurinë me sukses të projektit. Ky aktivitet sipas z. Trifiletti është dëshmi e elementit të qëndrueshmërisë së Projektit Fishing Blue ku rezultatet e prodhuara gjatë këtij projekti do të sigurojnë vazhdueshmërinë edhe mbasi Projekti të jetë mbyllur.
Koordinatori lokal i projektit, Z. Arjan Palluqi theksoi rëndësinë e trajnimeve për të harmonizuar procedurat e inspektimeve në det me ato të vendeve anëtare të BE-së/
Eksperti Italian në Ekologjinë Detare, Z. Mario Sbrana, u shpreh se “Manuali është i organizuar sipas përmbajtjes së atij të prodhuar nga Agjencia Evropiane e Kontrollit të Peshkimit (EFCA) dhe kjo është e rëndësishme pasi do të shërbejë për të harmonizuar aktivitetet e kontrollit dhe inspektimit brënda të njëjtit vend”.
Biologu Italian, Z Claudio Viva gjatë fjalës së tij ndër të tjera nënvizoi faktin se “Manuali dhe trajnimi janë të orientuara për të udhëhequr inspektorët e peshkimit drejt performancës efikase në kontrollin dhe mbikëqyrjen e monitorimit, në mënyrë që të kontribuojnë në menaxhimin e mirë të peshkimit, duke siguruar përputhjen dhe përdorimin e kontrolleve të duhura.”
Në sesionin e mbasdites ekspertët italianë organizuan një sesion trajnimi me inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë ku u trajtua përmbajtja e Manualit të Inspektimit.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Projektit IPA 2016 «Fishing Blue – Mbështetje për sektorin e peshkimit në Shqipëri», i cili zbatohet nga Fondazione Accademia Italiana della Marina Mercantile (FAIMM) .