Ministri Salla: Akreditohet Laboratori Qendror i Testimit të Farave sipas standardit ndërkombëtar ISO/IEC 17025:2017 - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 18/02/2026

Ministri Salla: Akreditohet Laboratori Qendror i Testimit të Farave sipas standardit ndërkombëtar ISO/IEC 17025:2017

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ishte sot në Laboratorin Qendror të Testimit të Farave, pranë Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve, ku u prezantua akreditimi i këtij laboratori sipas standardit ndërkombëtar ISO/IEC 17025:2017.

Laboratori, tashmë i akredituar dhe anëtar i ISTA-s (International Seed Testing Association), garanton cilësinë e materialit mbjellës shumëzues bimor në Shqipëri, duke kryer testime zyrtare për mbirjen, pastërtinë, lagështinë dhe identifikimin e farërave të drithërave, foragjereve dhe perimeve.

“Ky laborator garanton cilësinë e materialit mbjellës shumëzues bimor në Shqipëri, duke rritur sigurinë për fermerët, duke ulur rrezikun në prodhim dhe duke forcuar besueshmërinë për tregun vendas dhe eksportin,” u shpreh Ministri Salla gjatë vizitës.

Sipas ministrit, akreditimi përbën një hap konkret drejt përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian në kuadër të Kapitullit 12, duke konsoliduar sistemin e kontrollit zyrtar dhe cilësinë e inputeve bujqësore që në fazën e parë të prodhimit.

“Akreditimi i laboratorit është një hap konkret drejt përmbushjes së standardeve të BE-së dhe realizimit të vizionit Bujqësia 2030. Ai garanton që prodhimi ynë bujqësor të nisë nga baza më e rëndësishme, fara cilësore,” theksoi Salla.

Ky zhvillim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor, mbrojtjen e prodhimit vendas dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare.