Font Resize
 Masat për Gripin e Shpendëve, Ministri i Bujqësisë viziton një stabiliment të rritjes së shpendëve - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 09/01/2017

Masat për Gripin e Shpendëve, Ministri i Bujqësisë viziton një stabiliment të rritjes së shpendëve

Masat për Gripin e Shpendëve, Ministri i Bujqësisë viziton një stabiliment të rritjes së shpendëve

Ministri Panariti: Jemi në gatishmëri, pasi virusi është shumë afër Shqipërisë

Panariti: Masat e ndërmarra nga ky stabiliment dhe të tjera në vendin tonë, janë faktor për mospërhapjen e virusit dhe nëse ai mbërrin në vendin tonë

Panariti: Të respektohen me rigorizitet kushtet higjeni-sanitare dhe të gjitha udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë

Panariti flet dhe për Dermatozën Nodulare: Asnjë rast i ri, kemi porositur në Danimarkë lopët per kompensimin e blegtorëve të dëmtuar

Panariti: Rracat e porositura, më cilësore se të dëmtuarat në Shqipëri nga Dermatoza

Në kuadër të masave për parandalimin e virusit të Gripit të Shpendëve, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, vizitoi sot kopleksin e rritjes së shpendëve “Chicken Farm” në Kavajë. Ministri i Bujqësisë pa nga afër masat e marra nga sipërmarrësi për parandalimin e futjes së virusit nëse ai vjen në Shqipëri, si dhe kërkoi masa rigoroze nga të gjitha kompanitë e mbarështimit të shpendëve në të gjithë vendin, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Bujqësisë.

“Kompleksi ku ne jemi sot zbaton me rigorozitet të lartë normat higjeno-sanitare, duke filluar që nga kontrolli në fermë, dezinfektimi etj, me qëllim shmangien dhe parandalimin e futjes së bakterieve apo mikrobeve të rrezikshme të mundshme. Kjo është mjaft e rëndësishme, edhe për faktin se, ne jemi në gjëndje gatishmërie, pasi virusi i gripit të Shpendëve është mjaft afër. Ai qarkullon në Greqi, në Kroaci, në vendet e Ballkanit, por edhe të Bashkimit Evropian, ndërkohë ne po bëjmë ç’është e mundur për ta parandaluar. Dhe, e vetmja mënyrë, është marrja dhe zbatimi me rigorozitet i masave parandaluese, dezinfektimet dhe zbatimi i normave më të avancuara të teknologjisë së mbarështimit”, deklaroi Ministri Panariti.

Sipas tij, në Shqipëri nuk ka ende asnjë rast të identifikuar dhe kjo, edhe falë masave të marra nga sipërmarrësit e mbarështimit të shpendëve, qoftë atyre për mish, qoftë atyre për vezë, të cilët po zbatojnë me rigorozitet udhëzimet e dhëna nga Ministria e Bujqësisë, që nisin që nga masat e higjienës e deri të zbatimi i profilaksisë”.

Ministri Panariti i është përgjigjur dhe interesit të medias në lidhje me Dermatozen Nodulare, situatën e sëmundjes dhe kompensimin e premtuar për blegtorët, kafshët e të cilëve janë dëmtuar.

Tashmë, ne kemi shtypur virusin e Dermatozës Nodulare dhe nuk kemi asnjë rast të ri. Shumë shpejt do të bëjmë kompensimin e kafshëve të dëmtuara. Është bërë porosia në Danimarkë me kafshë të rracës, të përzgjedhura, të cilat janë edhe me cilësi rracore më të mirë sesa kafshët e dëmtuara dhe sipas një plani të hartuar mirë, do të bëjmë urgjentisht kompensimin për fermerët e dëmtuar. Të gjitha kafshët e regjistruara si të dëmtuara nga kjo sëmundje, pra dermatoza, do të kompensohen kokë më kokë”, theksoi Ministri.

Kafshët që do të vijnë nga Daminarka do të mbahen në regjim karantine, e cila do të jetë pranë Qendrës së Transfetimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë dhe deri në fund të muajit shkurt pritet që ato të mbërrijnë, për t’u shpërndarë më pas në të gjithë vendin, aty ku ka pasur të dëmtuara nga Dermatoza.

Influenca aviare, e njohur gjithashtu si “Gripi i shpendeve” shkaktohet nga virusi i influencës “Tipi A”, i cili mund të prekë disa specie (pulat, gjelat, pulat afrikane, shkurtat etj), si dhe shpendët shtepiakë e të egër. Disa shtame shkaktojnë shenja të renda klinike dhe mortalitet të lartë.

Shërbimi Veterinar pranë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave ka bërë rishikimin e planit të kontigjencës në rast shpërthimi të Influencës Aviare me Patogjenicitet të Lartë dhe i ka shpërndarë Sherbimeve Veterinare Rajonale dhe Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Gjithashtu, Drejtoria e Shërbimit Veterinar në MBZHRAU, është në kontakt me Sherbimet Veterinare të vendeve fqinje për situaten. Shërbimi Veterinar po imponon ndalime ligjore strikte dhe kontrolle mbi lëvizjen e shpendëve/ pulave dhe produkteve të shpendëve në territorin e vendit, sipas rregulloreve përkatëse profesionale. Sektorët e Shërbimit Veterinar Rajonal janë të përditësuar mbi gjëndjen e Influencës Aviare në Evropë dhe vendet fqinje.

Harta e shpërthimeve te Influences Aviare me Patogjenicitet te Larte ne Rajonin Europian nga tetori 2016 deri me sot marre ne Organizata Boterore e Shendetit te Kafsheve.