Font Resize
 Denaj: Garantojmë me ligj cilësinë e farave dhe fidanëve në treg - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 13/03/2025

Denaj: Garantojmë me ligj cilësinë e farave dhe fidanëve në treg

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj prezantoi në parlament projektligjin “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”. Gjatë fjalës së saj, Denaj theksoi se ky projektligj ka në fokus forcimin e rregullave për garantimin e cilësisë së farave dhe fidanëve të vendosur në treg, regjistrimin e varieteteve të reja në katalogun kombëtar si dhe procedurat për certifikim zyrtar, duke garantuar kështu sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Në vitin 2024, janë certifikuar mbi 52.5 milion fara dhe fidanë, ndërsa laboratorët kombëtarë kanë kryer rreth 400 testime për cilësinë e tyre. Me këtë ligj, çdo subjekt që prodhon ose tregton material mbjellës do të ketë detyrimin për të punësuar specialistë të fushës, duke garantuar përmbushjen e standardeve të BE-së.

Ky hap synon rritjen e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore dhe uljen e përdorimit të pesticideve të ndaluara, duke mbrojtur fermerët, konsumatorët dhe konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Fjala e plotë e ministres Denaj

Të nderuar kolegë deputetë,

Më lejoni që të paraqes para jush një projektligj të rëndësishëm në kuadër të hartimit të legjislacionit, politikave dhe strategjive që Ministria e Bujqësisë ka në vëmendje të veҫantë mbi sigurinë ushqimore.

Materiali mbjellës dhe shumëzues bimor konsiderohet si imput kryesor për bujqësinë, hortikulturën dhe prodhimin e bimëve pyjore, si dhe pika e parë e takimit me hallkat e zinxhirit ushqimor.

Projektligji ka për qëllim forcimin e rregullave për garantimin e cilësisë së farave dhe fidanëve të vendosur në treg, regjistrimin e varieteteve të reja në katalogun kombëtar si dhe synon përmirësimin e mëtejshëm të procedurave për certifikim zyrtar.

Në vitin 2024 kemi çertifikuar më shumë se 52.5 milion fara/fidanë. Është një punë kolosale e të gjithë strukturave, por njëkohësisht e të gjithë fermerëve te cilën objektivin drejt sigurisë ushqimore e kanë dhe e garantojnë duke filluar që nga gjeneza tek fara dhe fidani.

Gjithashtu nga laboratori i ESHFF, për vitin 2024 janë kryer rreth 400 testime për treguesit cilësor të Materialit Mbjellës dhe Shumëzues Bimor dhe 88 testime të varieteteve të reja për regjistrim në Katalogun Kombëtar, duke rritur kështu cilësinë e produkteve shqiptare dhe rritjen e eksporteve.
Me këtë ligj, çdo subjekt publik apo privat me objekt veprimtarie prodhimin, importin e tregtimin e materialit mbjellës do ketë një drejtues Teknik në fushën e agronomisë apo në fushën e inxhinierisë pyjore për rastet e materialit mbjellës pyjor, me qëllim që të kemi një prodhim të sigurt dhe agroteknika e përdorur të jetë korrekte dhe brenda standardeve të BE-së.

Ky projektligj rregullon më konkretisht strukturat dhe detyrat e lidhura me kontrollin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor duke përfshirë të gjitha fazat e tij:
– prodhimin,
– tregtimin
– analizimin.

Tre janë hallkat që ky ligj përmirëson:
1. Certifikimi,
2. Regjistrimi
3. Tregtimi i materialit mbjellës,

Farat dhe fidanët e shëndetshëm janë garancia më e mirë e një bujqësie të qëndrueshme dhe prodhimit cilësor shqiptar.
Në kuadër të sigurisë ushqimore janë ndërmarrë nisma konkrete, dy prej të cilave janë duke u diskutuar në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese të cilat përafrojnë edhe më shumë, ligjet shqiptare me ato të BE-së.
1. Konkretisht Ligji i shëndetit të kafshëve dhe i bimëve dhe që do të pasohet me kontrollin zyrtar. Kjo paketë përfshin përmirësimin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore dhe rishikimin e strategjive të menaxhimit të rrezikut.
2. Procedura të thjeshtuara lidhur me regjistrimin e varieteteve të reja dhe një bujqësi e qëndrueshme e cila në bazë ka sigurinë ushqimore.
3. Operatorët profesionistë që ushtrojnë këtë veprimtari kanë formimin e duhur në fushën e agronomisë, por më tej mundësohet identifikimi i subjekteve publike apo private në një listë të unifikuar me qëllim gjurmueshmërinë e të gjithë aktivitetit.
Kjo ndikon siç e thashë pak më parë, jo thjesht në terminologjinë e sigurisë ushqimore, por konkretisht në reduktimin e përdorimit e produktit të mbrojtjes së bimëve të cilat janë jashtë atyre të lejuara, por njëkohësisht shton edhe transparencën duke ofruar informacion në grupet e interesit, nëpërmjet publikimit të katalogut kombëtar.

Të nderuar kolegë deputetë, të nderuar fermerë,
Puna e bërë në vitet e fundit për të rritur gjurmueshmërinë e produktit nga ferma në tavolinë dhe rritja e parametrave të sigurisë në kontroll është një punë e vijueshme, aspak e lehtë dhe që kërkon investime në infrastrukturë, por edhe përfshirje të të gjithë aktorëve.

Në radhë të parë, në këto 10 vite janë investuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve njerëzore, laboratorike dhe njerëzore të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), i cili në 2013 mundësonte vetëm 6 analiza të akredituara sipas standardeve të BE-së. Në fund të vitit 2024, kjo shifër ka arritur në afro 1909 teste të akredituara sipas të njëjtave standarde.
Më tej, objektivi ynë mbetet një investim gjithëpërfshirës në të gjithë zonat e Shqipërisë. Kemi një paketë me gati 20 milionë euro investime, që përfshin 7 pika rajonale të sistemit laboratorik dhe 6 pika të marrjes së mostrave në pikat kufitare, të cilat do të përmirësohen ndjeshëm në 2 vitet e ardhshme, duke forcuar pikërisht elementin e gjurmueshmërisë.

Përtej të gjitha debateve mediatike, të cilat shpesh bëhen nga njerëz jo profesionistë të fushës dhe pa terminologjinë e duhur teknike, ekziston një nevojë thelbësore për t’iu referuar studimeve dhe vlerësimeve të ekspertëve në lidhje me sigurinë ushqimore.

Lënda vepruese në përmbajtjen e çdo PMB-je, e thënë ndryshe pesticide, është e përfshirë në një listë të publikuar dhe të përditësuar rregullisht me ndryshimet më të fundit të BE-së. Në të gjitha faqet tona zyrtare, ne e vendosim këtë informacion në plan të parë.

Megjithatë, nga monitorimet dhe analizat e kryera mbi përdorimin e lëndëve vepruese të ndaluara, janë evidentuar vetëm dy elementë, duke kundërshtuar numrat hiperbolikë që shpesh përmenden në diskutimet televizive nga persona jo ekspertë të fushës. Këto janë dy produkte që janë ndaluar në vitin 2022 dhe gjenden në disa produkte të identifikuara nga sistemi RASFF si të ardhura nga vendet e BE-së, kryesisht nga Italia dhe Greqia.

Nuk dua të relativizoj rrezikun e uljes së numrit të pesticideve nga 35 që flitet nëpër banaqet, nga 2 që ekzistojnë, pasi këto janë të dëmshme. Dua të kërkoj në radhë të parë nga të gjithë aktorët, fermerët e kanë detyrim, por jo vetëm ndaj ligjit, ndaj të gjithë konsumatorëve shqiptarë dhe të huaj, që lëndët e tilla t’i marrin vetëm në farmacitë tona bujqësore, të cilat janë të certifikuara dhe kanë listën e këtyre produkteve të lejuara.