Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici përfaqësoi
Shqipërinë në ministerialin për Vreshtarinë dhe Verën, që u zhvillua në
Itali. Ky aktivitet u organizua nga Organizata Ndërkombëtare e
Vreshtarisë dhe Verës dhe ministri italian i Bujqësisë dhe Sovranitetit
Ushqimor Francesco Lollobrigida.
Civici e vlerësoi këtë takim me rëndësi të veçantë për çështjet e
vreshtarisë dhe industrisë së prodhimit të verës, ku siç tha ai “Shqipëria
është vendi i 50-të që i bashkohet OIV në 100 vjetorin e kësaj
organizate”.
“Diskutuam për zhvillimin e sektorit të vreshtarisë dhe verës në
Shqipëri dhe vlerat që varietetet autoktone shqiptare sjellin në këtë
organizatë”, tha Civici.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatës Ndërkombëtare të Vreshtarisë
dhe Verës (OIV), në gusht të 2023, erdhi pas një pune të madhe që ka
bërë MBZHR bashkë me ekspertët e fushës për të plotësuar çdo hallkë
të zinxhirit që kërkon ky proces ndërkombëtarizimi i industrisë së verës
“Made in Albania”.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po mbështet zhvillimin e
industrisë së verës, si një nga produktet tradicionale më të hershme në
vendin tonë, që e ka bërë Shqipërinë të njihet për varietetet autoktone
të rrushit, prej nga prodhohen një sërë verërash cilësore.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë