» Bllokimi në Durrës i ngarkesës me banane të papërshtatshme për konsum, reagon ministri i Bujqësisë, z.Bledi Çuçi: Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon, ftoj qytetarët të denoncojnë
Postuar më: 29/01/2019

Bllokimi në Durrës i ngarkesës me banane të papërshtatshme për konsum, reagon ministri i Bujqësisë, z.Bledi Çuçi: Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon, ftoj qytetarët të denoncojnë

Ministri i Bujqësisë z.Bledi Çuçi ka reaguar pas aksionit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës ku u bllokuan 41.7 ton banane me cilësi jo të përshtatshme për konsum njerëzor. Ngarkesa vinte nga Kosta Rika. Pas konstatimit nga inspektorët e AKU-së ajo u kthye mbrapsht në vendin e origjinës sipas legjislacionit në fuqi. Ministri Çuçi thotë se siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare dhe toleranca do të jetë zero ndaj kujtdo që abuzon.

Më poshtë reagimi i plotë i tij.

Kur vjen fjala tek siguria ushqimore zbatimi i ligjit do të jetë pa kompromis. Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me cilësinë e produkteve që ne konsumojmë. Vlerësoj aksionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës për bllokimin e 41.7 tonëve banane me probleme për konsum njerëzor. Inkurajoj të gjithë trupën e inspektorëve të AKU-së kudo në Shqipëri të tregohen vigjilentë ndaj çdo rasti dhe të zbatojnë ligjin me rigorozitet. Po kështu ftoj qytetarët të jenë bashkëpunes me AKU-në duke denoncuar rastet e produkteve të papërshtatshme për konsum. Le të jemi të ndërgjegjshëm se siguria ushqimore është një sfidë e përbashkët. Krahas punës së AKU-së dhe institucioneve të tjera, kontributi i qytetarëve është i domosdoshëm për të patur në tregjet tona produkte cilësore. Siguria ushqimore është një komponent i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, prandaj ne do të bëjmë çdo pë​rpjekje që shqiptarët të konsumojnë produkte me standarde.