Font Resize
 Agropika, dritarja e re e një sporteli unik me shërbim modern ndaj fermerit - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 17/01/2018

Agropika, dritarja e re e një sporteli unik me shërbim modern ndaj fermerit

Hapet sporteli i parë unik për fermerët në Fier, një one stop shop shërbimi dhe informacioni për fermerët. Sporteli do të ofrojë për fermerët shërbimin e aplikimit për grante dhe subvencione me fondet buxhetore, si dhe për programin IPARD, këshillim për plane biznesi, informacion dhe këshillim bujqësor, informacion financiar dhe informacion për tregjet bujqësore.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi, përfaqësues të ndryshëm të pushtetit vendor. Në fjalën e tij Ministri Peleshi u shpreh se ky one stop shop do të jetë një dritare shërbimesh ofruar nga disa institucione për të gjithë fermerët.

“Bashkia ka dhënë një mbështetje shumë të madhe dhe kjo është pika e parë që ne po hapim. Këtu do të ketë disa punonjës nga AZHBR-ja, por edhe nga shërbimi i ekstensionit që do të fillojë shumë shpejt, me ristrukturimin e drejtorive të bujqësisë. Kështu që do të jetë një dritare shërbimesh nga 2-3 institucione për të gjithë fermerët. Ne brenda muajit miratojmë skemën e re të mbështetjes financiare përmes AZHBR-së. Ka inovacion atje dhe ka shumë nevojë që të komunikohet me fermerët dhe agropërpunuesit. Kështu që në kontaktet në terren dhe përmes rrjetit të pesë agropikave, pra, të pikave të shërbimit të fermerëve do ta punojmë skemën në mënyrë që edhe përthithja të jetë sa më e madhe dhe të përgatitemi edhe për IPARD-in, ku sfida është më e madhe, kërkesat janë më rigoroze dhe mundësia është më e madhe për financim.”

Fermerët, krahas lehtësive që ofron sporteli unik do të përfitojnë edhe nga eleminimi i burokracisë përmes heqjes së dokumenteve për aplikim për subvencionet, të cilëve tashmë iu nevojitet vetëm Karta e Identitetit, nga trembëdhjetë dokumente që kërkoheshin.

Përmes sportelit unik, fermerët do të asistohen edhe në terren, deri në përfundimin e investimit të tyre. Këto agropika do t’u vijnë në ndihmë fermerëve, duke ju krijuar besimin dhe duke iu kursyer kohën.

Kryeministri Rama theksoi se sporteli unik në Fier, i cili do të pasohet edhe nga të tjerë në vijim është pikënisja e një transformimi rrënjësor në raportin me fermerët.

“Ky është fillimi i një transformimi rrënjësor. Janë vërtetë pikat nevralgjike të një sistemi të ri, që do ndryshojë rrënjësisht edhe raportin me fermerët, për t’i dhënë të gjithë transparencën dhe mbështetjen e nevojshme. Do ndryshojmë rrënjësisht edhe qasjen në mënyrat sesi janë ndërtuar skemat e reja. E rëndësishme është që të japim më shumë informacion për skemat e reja, që ta kenë të qartë që nuk mund të merren më mbështetje ashtu siç janë marrë, por duhet të fokusohen të gjithë në një qëllim, në mënyrë që secili të bëjë pjesën e vet, por qëllimi i përbashkët do të realizohet edhe të fitojnë fermerët, të fitojë edhe ekonomia, të fitojë edhe e ardhmja.”

Ministria e Bujqësisë ka parashikuar hapjen e 20 sporteleve të agropikës në bashkitë kryesore të vendit që kanë dhe lidhje me ekonominë bujqësore. Pesë agropikat e para janë tashmë në shërbim të fermerëve dhe brenda 6 mujorit te parë të 2018 do të shtohen edhe 15 të tilla në të gjithë vendin.