Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare organizuar me rastin e 72-vjetorit të themelimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Denaj shprehu mirënjohjen për gjithë gjeneratën e profesorëve dhe akademikëve të diplomuar ndër breza.
“50 mijë specialistë të bujqësisë nga ky institucion, kanë kontribuar në sektor për 7 dekada, me aftësimin në profesionet kyç të agronomisë, veterinarisë, zooteknisë etj”, tha Denaj.
Gjatë fjalës së saj, ministrja vlerësoi kërkimin shkencor në UBT-s, gur themeli për të hartuar politika të zhvillimit, duke i bërë ballë sfidave dhe kërkesave të sektorit.
Denaj iu bëri thirrje të rinjve të ndërmarrin studimet e tyre në fushat e bujqësisë.
“Ftoj të gjithë të rinjtë të ndërmarrin studimet e tyre në fushat e bujqësisë, duke i siguruar se dera e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të qëndrojë e hapur për t’i mirëpritur në bashkëpunim përmes praktikave dhe punësimit”, deklaroi Denaj.
UBT është universiteti më i vjetër në Shqipëri, themeluar më 1 Nëntor, 1951. Filllimisht, ai ka funksionuar si Instituti i Lartë Shtetëror i Bujqësor dhe më tej gjatë historisë së funksionimit të tij, ka fituar statusin si Universiteti Bujqësor të Tiranës. UBT konservon në mënyrë të kujdesshme vlerat e tij akademike, sikundër tregohet ambicioz në strategjitë zhvillimore dhe ato të kërkimit, kualifikimin e vazhdueshëm të stafit, rritjen e bashkepunimit ndërkombëtar dhe institucionalizimin e marrdhënive me biznesin.
Duke qenë qendra më e madhe e arsimit dhe kërkimit në fushën e bujqësisë dhe ushqimit, UBT ka qenë në ballë të krijimit të lidhjeve midis shkencës dhe prodhimit. Këto lidhje janë materializuar nëpërmjet dhjetra e marrëveshjeve të nënshkruara aktorë publikë dhe në mënyrë të veçantë me komunitetin e biznesit shqiptar.
Universiteti Bujqësor i Tiranës ofron programe studimi në të gjitha ciklet e studimit të parashikuara në Ligjin e Arsimit të Lartë: 6 programe studimi të ciklit Programe profesionale 2 vjecare; 23 programe studimi të ciklit Bachelor; 1 program i integruar i ciklit te dyte; 19 programe studimi të ciklit Master i shkencave; 20 programe studimi të ciklit Master professional; 1 programe studimi të ciklit Master ekzekutiv; 5 programe studimi të ciklit Doktorature
“Ndërkombëtarizimi” i programeve të studimit bachelor, master dhe ndërkombëtarizimi i kërkimit shkencor dhe studimeve të doktoratës, përfaqëson një objektiv strategjik të UBT. UBT synon arritjen e standarteve të avancuara ndërkombëtare në arsimin e lartë dhe njësimin e programeve, diplomave të dyfishta, internaciononalizimin e tyre dhe gjithashtu shndërrimin e UBT-së në Qendër Rajonale Ekselence, lider i inovacionit, zhvillimit të bujqësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
UBT bashkëpunon me universitetet dhe Institucionet kërkimore dhe shkencore të BE-së përmes projekteve Erasmus+, COST, INTERREG, Horizont 2020, CEEPUS, etj, në kërkime shkencore dhe programe që synojnë të mbështesin rritjen e nivelit shkencor të studentëve dhe stafit akademik dhe gjithashtu edhe në aspektin e shkëmbimit të stafit dhe studentëve.
UBT përgjatë shtatë dekada ka krijuar traditë dhe kapacitete në drejtim të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe ofrimit të shërbimeve. Trupa akademike me rreth 300 persona është e kualifikuar dhe ka kaluar eksperienca afatgjata (Ph.D ose postdoktoraturë) në vënde të ndryshme të BE.
UBT renditet ndër universitetet e rankuara më mirë në Shqipëri dhe zotëron një kampus unik universitar për zhvillimin e mësimit dhe kërkimit shkencor. Përveç infrastrukturës laboratorike UBT ka në pronësi Fermën Didaktike Eksperimentale (FDE) e cila është qëndra referuese e tij për transferimin e teknologjive të reja bashkëkohore tek specialistët e bujqësisë, kompanive që operojnë në këtë fushë dhe fermerëve.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë