Font Resize
 Zhvillohet workshopi Greqi-Shqipëri për Bashkëpunimin në Bujqësi - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 06/04/2017

Zhvillohet workshopi Greqi-Shqipëri për Bashkëpunimin në Bujqësi

Panariti: Vendet tona mund të zhvillojnë më tej tregtinë në sektorin bujqësor, si dhe forcimin e sigurisë ushqimore dhe kapacitetet laboratorike

Panariti nga Korça: “Dialogu dhe kompromisi, menyra e vetme për të dalë nga kriza politike dhe opozita t’i kthehet

Ministri i Bujqësisë, z. Edmond Panariti mori pjesë sot në Workshop-in e Bashkëpunimit Bujqësor, Shqipëri-Greqi, zhvilluar në Korçë.

Panariti gjatë fjalës së tij në këtë workshop deklaroi: “Jemi në Korçë, për të promovuar një hap të rendësishëm të bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë në fushën e bujqësisë. Jemi dy vende fqinje dhe që kemi një bashkëpunim të madh në fushën e tregtisë. Ky workshop do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe tregtisë midis dy vendeve dhe veçanërisht në fushën e bujqësisë. Edhe gjatë bisedës me Ambasadoren e Greqisë në Tiranë, folëm për bashkëpunim mes dy vendeve, mes autoriteteve homologe, veçse në shkëmbimet tregtare në bujqësi edhe në fushën e sigurisë ushqimore, sëmundjeve të kafshëve apo të bimëve, si dhe në forcimin apo venjen në shërbim të laboratorëve të të dy vendeve, veçanërisht të zonave kufitare”.

Ministri Panariti, shtoi se ky workshop do t’i shërbejë dhe bizneseve të të dy vendeve në fushën e bujqësisë. Më tej, ministri Panariti tha se Shërbimi i Laboratorëve dhe forcimi i tyre, sektori i peshkimit dhe industria ushqimore do të jenë pjesë e rendësishme e bisedimeve të këtij workshopi.

Ministri i Bujqësisë, z. Edmond Panariti, gjatë zhvillimit të një aktiviteti në Korçë, ku ishte pjesëmarrës, i është përgjigjur interesit të mediave, ku ka folur për mundësitë e zgjidhjes së krizës politike, pritshmëritë, por edhe çështjes së zgjedhjes së Presidentit.

“Korça jep mesazhin që pa bashkëpunim nuk ka frymëzim. Këtë bashkëpunim duhet ta kthejmë në një përqasje.

Pra, është koha e bashkëpunimit dhe pa bashkëpunim, nuk ka zhvillim, nuk ka integrim. Këtë frymë duhet ta kthejmë edhe si një përqasje personale. Jam i kënaqur që shoh shenjat e para të një dialogu dhe shumë shpejt edhe të një kompromisi. Të mos ketë vonesa në reforma dhe integrimin e vendit”, tha z. Panariti.

I pyetur për mundësinë e qeverisë teknike, Panariti nenvizoi:

“Këto janë detaje që do të zgjidhen nëpërmjet negociatave dhe e rendësishme është që zgjidhja të jepet me kompromis dhe opozita të kthehet në parlament”.

Më tej, i pyetur për gazetarët përsa i përket koalicioneve dhe ku do të pozicionohet LSI, z. Panariti tha se, “LSI e ka shprehur qartë vullnetin e saj për të qenë në koalicionin e majtë”.

Më e rëndësishme për Ministrin Panariti, është të zgjidhet situata e të ecet përpara, kjo ka qenë dhe është perqasja dhe vullneti i LSI.

I pyetur për presidentin dhe nëse do të jetë i propozuar nga LSI, Panariti theksoi se, “Presidenti duhet të jetë president konsensual, i zgjedhur me konsensus, sepse është garant i kushtetutës dhe popullit”.