Zëvendësministrat e Bujqësisë takim me fermerët e Bashkisë Korçë - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 19/06/2024

Zëvendësministrat e Bujqësisë takim me fermerët e Bashkisë Korçë

Zëvendësministrat e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Dhimitër Kote dhe Arian Jaupllari organizuan një takim me fermerët e fshatit Dvoran të Bashkisë Korçë, kultivues dhe prodhues të qershive. Ata panë nga afër kultivarët e rinj të futur në prodhim dhe ecurinë e tij. Prodhimi i këtij kultivari del në treg në fillim të muajit korrik, pikërisht në momentin kur në treg ka përfunduar sezoni i kultivarëve të vjetër.

Dvorani është një prej fshatrave të Korçës, që aktivitetin ekonomik e ka të përqendruar tek frutikultura, pasi vetë kushtet klimatike janë të favorshme për rritjen optimale të kulturës së qershisë. Vetë fermerët cilësojnë se prodhimi këtë vit është i mbarë dhe shpresojnë që edhe shitjet të jenë të mbara.

Një ndalesë tjetër ishte ajo në fermën Morava, ku në kuadër të prioriteteve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, u ndoq nga afër mbyllja e ciklit të zinxhirit qysh nga mbarshtrimi i bletës, prodhimi i mjaltit, përpunimi, analizimit, standardizimi dhe tregtimi i tij në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.