Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, mori pjesë në edicionin e vitit 2025 të panairit ndërkombëtar “Vinitaly” në Sibari, Kalabri, një nga ngjarjet më prestigjioze në botë për verën dhe prodhimet bujqësore me identitet.
Në këtë panair, etiketa të verës shqiptare u ekspozuan me krenari përpara ekspertëve, njohësve dhe dashamirësve të verës nga e gjithë bota, duke promovuar cilësinë dhe potencialin e produkteve Made in Albania.
Ministrja Denaj ishte pjesë e panelit të titulluar: “Tokat e bekuara: Bujqësia, identiteti dhe bashkëpunimi”, ku u diskutua mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë bujqësore, promovimit të produkteve me identitet dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zhvillimit rural dhe agroturizmit.
Në fjalën e saj, ministrja Denaj theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur sektorin e vreshtarisë përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, me synim rritjen e prodhimit të verërave shqiptare dhe fuqizimin e pozicionit të tyre në tregjet ndërkombëtare.
Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, ministrja Denaj zhvilloi gjithashtu një takim me Ministrin italian të Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pyjeve, z. Francesco Lollobrigida.
Gjatë takimit, palët ndanë vlera të përbashkëta mbi bujqësinë si themel i identitetit kombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke rikonfirmuar vullnetin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në këtë sektor.

© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë