Situata pas reshjeve të shiut dhe përmbytjeve në disa rrethe të vendit
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, njofton se pas reshjeve përgjatë ditëve të fundit, në disa rrethe të vendit ka pasur probleme, ku si pasojë, disa zona janë prmbytur.
Nga informacionet që Ministria e Bujqësisë ka nga Drejtorinë e Bujqësisë ne rrethe, deri në orën 15.30 të ditës së sotme, situata nuk ka pasur përkeqësime, përkundrazi, në disa zona ka pasur tërheqje të ujit.
Qarku Shkodër
Në rrethin e Shkodrës, sipërfaqja e tokave të përmbytura arrin në 1010 hektarë.
Në njësinë Administrative Bushat: 140 hektarë, në Bërdicë 30 hektarë; Në Ana e Malit, 450 hektarë; Në Dajç, 70 hektarë, Në Vaun e Dejës, 35 hektarë dhe në Gur i Zi, 285 hektarë.
Këto sipërfaqe toke bujqësore janë përmbytje sipërfaqsore, si rezultat i shkarkimit të hidrocentralit. Lumi Buna ka dalë nga shtrati. Kanalet e III-ta janë të mbushura me ujë në nivelet baraz me siperfaqen e tokës, ndërsa hidrovoret dhe kanalet kulluese janë në funskionim të plotë, si dhe mjetet e mundshme janë në gatishmëri. Ndërkohë, që situata po monitorohet nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë.
Qarku Lezhë
Në rrethin e Lezhës ka rënë rreth 20 mm shi gjatë ditës së fundit, por për shkak të tejngopjes dhe prurjeve, aktualisht janë nën ujë rreth 100 hektarë në Bregun e Mateit, rreth 30 ha në Barbulloje dhe rreth 250 ha në zonën e Torovicës.
Në Tale dhe Alk, të Bregit të Matit janë dëmtuar 3 krerë lopë nga vërshimet e ujit, ndërsa rruga e vjetër Lezhë – Mirditë, drejt fshatit Bërzane është bllokuar për shkak të shëmbjeve dhe rreshqitjeve të tokës.
Situata më e rënduar është në Bashkinë Kurbin.
Në zonat Gjorm dhe Sanxhak, kryesisht, por edhe më gjerë, ka rreth 500 ha nën ujë. Kjo, për shkak të prurjeve në të gjitha drejtimet. Janë në funksion me kapacitet të plotë hidrovoret dhe nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike dhe stafet e Bordit te Kullimit jane në angazhimin e tyre maksimal me burimet njerëzore, mjetet mekanike dhe gjithëçka ato kanë në administrim.
Ministria e Bujqësisë ka në gatishmëri të gjisha strukturat në qarqe, Drejtoritë e Bujqësisë, Bordet e Kullimit, ndërkohë që hidrovoret janë në funksion të plotë, ndërsa kanalet kulluese janë në gjëndje pune dhe për të gjitha situatat në vijim, MBZHRAU do t’ju informojë.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë