Ministria e Bujqësisë nis zbatimin e skemave të reja mbështetëse në bujqësi. Drejtoresha e AZHBR, (Agjencisë së Pagesave) znj Suela Popa doli sot në një konferencë për shtyp ku deklaroi:
Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Pagesave (AZHBR) fillon zbatimin e skemave të reja mbështetëse, nga të cilat do përfitojnë fermerë dhe agropërpunues në të gjithë vendin.
Skemat mbështetëse synojnë formalizimin e bujqësisë shqiptare, punësim, eksporte dhe rritje ekonomike.
Skemat e reja mbështesin: dorëzimin e prodhimit bujqësor në pikat e grumbullimit, infrastrukturë për grumbullim, ruajtje, përpunim dhe tregtim të produkteve; investime për inovacion e teknologji bujqësore, sigurimin e standardeve dhe cilësisë së produkteve; mbështetje për bagëtitë e imta, bazuar në traditën dhe avantazhet konkurruese të vendit tonë.
Për herë të pare, skemat prezantojnë mbështetje financiare për zhvillimin rural si promotor i agroturizmit, konkretisht rehabilitimi i ullishteve shekullore.
Për herë të parë, mbështesim sektorin e akuakulturës, burim potencial i pashfrytëzuar deri më sot.
Skemat e mbështetjes financiare e shtrijnë efektin që nga data 1 janari 2014.
Këto skema synojnë orientimin nga bujqësi e mbijetesës në bujqësi të zhvillimit që garanton: siguri ushqimore, teknologji inovative, progres ekonomik.
I ftojmë të gjithë fermerët dhe agropërpunuesit, të drejtohen për informacione të detajuara në drejtoritë e bujqësisë në qarqe. Faleminderit!
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë