Ministrja Denaj me homologun e Kosovës në Berat: Nxitje e bashkepunimit midis fermerëve për cilësi eksporti në BE - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 24/11/2023

Ministrja Denaj me homologun e Kosovës në Berat: Nxitje e bashkepunimit midis fermerëve për cilësi eksporti në BE

Thellimi i bashkëpunimit në bujqësi sidomos në sektorin e verës ishte kryefjala e diskutimeve mes ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj dhe homologut të saj të Kosovës, Faton Peci, ndërsa vizituan nga afër kantinën Pupa në Berat, kantinë që u nderua me çmimin, në Panairin e Verës në Beograd, Serbi.

Në kuadër të vizitës zyrtare të ministrit Peci në Tiranë, Denaj e njohu atë ne terren me sipërmarrjen cilësore të verës për të ngritur ura të mëtejshme bashkepunimi në këtë drejtim.
“Ne duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, në mënyrë që të jemi edhe më të fortë. Në atë që ju si sipërmarrës e keni krijuar, por ne si politikanë dhe politikëbërës ta stimulojmë edhe më shumë, nëpërmjet politikave më adekuate për sektor. Në kemi një politikë të përgjithshme, e cila ndihmon në të gjitha aspektet si në infrastrukturë, në sistemin e ujitje-kullimit dhe infrastrukturën e sigurisë ushqimore”, u shpreh ministrja.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural , Faton Peci theksoi se Berati, është vend i duhur i promovimit të cilësisë dhe vlerave të përbashkëta të produkteve të të dyja vendeve. Ai vuri theksin në rëndësinë e forcimit në aspektin gjeografik mes dy vendeve, për eksportin e prodhimeve të verës në Bashkimin Europian, por edhe në zona të tjera. “Bashkëpunimi i produkteve shiqiptare, të prodhuesve dhe fermerëve në Shqipëri dhe Kosovë eshtë aspekt komplimentar dhe ne duhet na mbështesim dhe nxisim atë”, tha ai.
Diskutimet u përqëndruan dhe në bashkëpunimin në infrastrukturën e promovimit të prodhimeve shqiptare.

“Nga 1 dhjetori e tutje do të përdorim të gjithë mekanizmat e stimulimit për fermerët, prodhuesit , vreshtarët, me qëllim thellimin e bashkëpunimit në sektorin e prodhimit të verës. Bashkimi dhe përafrimi i aktiviteteve të përbashkëta i prodhimit dhe përpunimit verës na fuqizon të gjithëve”, deklaroi Peci.
I pranishëm në këtë takim Kryetari i Bashkisë të Berat, Ervin Demo, e cilësoi bashkëpunimin në sektorin e verës, si një ndër instrumentat që ka bërë bashkë prodhuesit e kantinave shqiptare me ato të kosovës, në Festivalin e Verës në Berat. Demo tha se, “ky event synon të kthehet në një traditë për promovimin e produkteve shqiptare, në tregjet rajonale dhe më gjerë”.