Font Resize
 Mbrojtja ndaj përmbytjeve, Denaj: 7,4 miliardë lekë investime për rehabilitimin e argjinaturave - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 11/04/2025

Mbrojtja ndaj përmbytjeve, Denaj: 7,4 miliardë lekë investime për rehabilitimin e argjinaturave

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj informoi sot se punimet për mbrojtjen nga lumi Osum në Havaleas, Kuçovë, po shkojnë drejt përfundimit.

Sipas saj, përmes rehabilitimit të mbrojtjes lumore me gabion në një gjatësi prej 350 m, garantohet siguria për investimet dhe tokat e fermerëve të zonës.

Denaj bëri të ditur se, 7,4 miliardë lekë janë investuar për rehabilitimin dhe ndërtimin e rreth 120 km argjinatura në lumenjtë kryesorë të vendit (Drin, Buna, Mat, Shkumbin, Osum, Seman, Vjosë etj).

Ndërkohë janë sistemuar gjithashtu rreth 30 km kanale të ujërave të larta dhe shtretër lumorë e përrenj.

“Me mbrojtjen e tokave nga përmbytjet, rrisim rendimentin e prodhimit dhe i shtojmë vlerë produkteve Made In Albania, duke i bërë ato më konkurruese në tregjet ndërkombëtare”, tha ministrja Denaj.