Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, prezantoi në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”.
Ministrja Denaj theksoi se “bujqësia organike është një sektor i rëndësishëm në strategjinë e BE-së dhe konsiderohet si komponent i zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë”.
“Objektivi i BE -së është që 25% e tokës bujqësore të jetë e orientuar drejt bujqësisë organike. Shqipëria ka rreth 800 ha sipërfaqe të kultivuar në bujqësi organike dhe ne syjojmë ta zgjerojmë atë në vijim”
Denaj theksoi se ky është një sektor me rritje jo vetëm në prodhim por edhe në cilësi ku vihet re se investimet janë rritur, vlera në tregun europian është rritur.
“Qëllimi i këtij projektligji është të përcaktojë parimet dhe rregullat për prodhimin biologjik, lidhur me certifikimin dhe përdorimin e treguesve që i referohen prodhimit biologjik në etiketim dhe reklama, dhe rregullat për kontrollin zyrtar, që të sigurojë bazën për zhvillimin e qëndrueshëm të prodhimit organik, funksionimin efikas të tregut të brendshëm dhe garantimin e konkurrencës së drejtë, besimin dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve”, tha Denaj.
Fjala e ministres Denaj, Komisioni 11.09.2024
Shumë faleminderit i nderuar kryetar, të nderuar kolegë deputetë!
Bujqësia organike është një pjesë shumë e rëndëshishme e strategjisë së BE-së nga ferma në tavolinë dhe konsiderohet si një sistem i rëndësishëm, i qëndrueshëm i zhvillimit bujqësor. Sot në Bashkimin Europian ka një objektiv të qartë, që 25% e tokës bujqësore të jetë e orientuar drejt bujqësisë organike, të paktën deri në vitin 2030. Për sa i takon këtij objektivi në Shqipëri, besoj që këto objektiva do të jenë të përputhura edhe me interesin e biznesit drejt këtij sektori, ku ky projektligj vjen sot në ndihmë të këtij objektivi dhe përcakton rregulla të qarta për të ndihmuar këtë zhvillim shumë të rëndësishëm të bujqësisë në Shqipëri.
Shqipëria ka rreth 300 hektar sipërfaqe sot të kultivuar në bujqësi organike, që në fakt është një sipërfaqe e vogël, më pak se 1% e sipërfaqes së përgjithshme të kultivuar bujqësore. Por këtë doja ta sillja në vëmëndje, që pavarësisht një sipërfaqe të vogël ka pionerë të parë të bujqësisë organike në Shqipëri dhe e mbështëtur në të gjithë parimet dhe principet e ligjit, për të cilin ne përafrojmë legjislacionin tonë me atë të BE-së. Synojmë që edhe në Shqipëri sipërfaqe dhe ky angazhim të jetë më i lartë në vitin që vjen. Është një sektor në rritje dhe nuk është kjo rritje vetëm në raport me sasinë, mbi të gjitha është sektor rritje me cilësinë. Sigurisht që të zhvillosh bujqësi organike kërkon kohë, kërkon durim, kërkon rregulla të zbatuara shumë rigoroze, të qarta , por të paktën nga eksperiencat e shumë vendeve të tjera të BE, vlera për këtë investim është shumë e rritur, tregu në vendet e BE-së është i siguruar. Prandaj, ne mendojmë që kjo është një platformë shumë e mirë ligjore, për të ndihmuar ekonomitë bujqësore, të cilat kanë objektiv në këtë drejtim.
Nevoja e një projektligji të tillë i shërben përgatitjes të të gjithë masave, të cilat do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt edhe me agjensitë ligjzbatuese, sepse kjo është një përgatitje dhe për vetë agjensitë, të cilat do të jenë të angazhuara me zbatimin e këtij ligji për atë që është rritja edhe siguria ushqimore në disa elementë, që e ndërlidhin në mënyrë të pashmangshme me aktivitetin bujqësor, por njëkohësisht mbrojtjen e konkurencës, cilësisë dhe ekspozimi në tregje europiane ndërkombëtare edhe më shumë se jemi sot.
Një përmbushje e angazhimeve të Agjendës së Gjelbër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e ka përcaktuar shumë qartë strategjinë ndërsektoriale të bujqësisë të vitit 2021-2027, se ka objektiva të qarta për të mundësuar një sektor agroushqimor dhe peshkim të efektshëm, inovativ dhe të qëndrueshëm, miqësor me ambjentin. Kjo strategji është ambicioze në drejtim të krijimit të një mjedisi në përdorim të reduktuar e të efektshëm të plehrave dhe pesticideve dhe me qëllimin e rritjes së sipërfaqes bujqësore të përdorura pikërisht në këtë funksion me sa më pak plehra dhe pesticide të përdorura. Puna për rritjen e aktivitetit bujqësor organik, ka vijuar dhe është mbështetur në këto objektiva, ku i përmenda pak më lart dhe vitet e fundit është aplikuar edhe ne Skemën Kombëtare, mbështetje për fermat, të cilat kalojnë në bujqësi organike. Një mbështetje në shkallë progresive në vitin e parë me 100 mijë lekë, në vitin e dytë dhe të tretë me 150 mijë lekë dhe ferma plotësisht organike me 200 mijë lekë, e cila sigurisht ka një ndikim pozitiv në nxitje të insentitit, por sigurisht besoj sa më shumë të kemi të interesuar në këtë sektor dhe pse kjo realizon një përqindje edhe më të rritur në interesin e përfaqësuesit të biznesit edhe Skema Kombëtare do të rishikohet.
Forcimi i kapaciteteve institucionale, administrative drejt përafrimit me ligjet e BE, thashë pak më parë po e ritheksoj sepse cdo projektligj që vjen në frymë të BE dhe ndikon, jo vetëm në kuadrin ligjor, por njëkohësisht të gjithë institucionet ligjzbatuese, të cilat janë të detyruar të vihen në rolet shumë të forta, sidomos në parimet dhe rregullat për prodhimin organik, të cilat lidhen me certefikim dhe përdorimin e treguesëve dhe reklamimin, fitimin dhe rregullat për kontrollin zyrtar.
Projektligji ka adresuar dhe problematikat lidhur me produktet e substancat e përdorura në prodhimin organik, që përvec listës dhe substancave për përdorimin organik të harmonizuar në listat e Bashkimit Europian, do të miratohen listat e PMB-ve dhe PP-ve, të cilat janë dhe përdoren në prodhimin organik. Këto janë listat e të gjithë plehrave organik që ndodhen dhe janë sot në Shqipëri, të gjitha të harmonizuara. Nuk ka listë në Republikën e Shqipërisë që nuk është e harmonizuar me atë të BE-së. Ligji parashikon më tej ndalimin e përdorimit në etiketim, reklamim apo në dokumentet tregtare të termave që i referohen plehut oragnik si produkt, i cili nuk është në përputhje me kërkesat dhe ligjet dhe sanskionet përkatëse. Gjithashtu, termat që referohen prodhimit organik nuk mund të përdoren si markë tregtare, emra të kompanisë, njësive të shitjes apo pika të tjera të përdorura në etiketim apo reklamim, të cilët mund të keqinformojnë apo mashtrojnë konsumatorin dhe përdoruesin duke sugjeruar se një produkt ose përbërësit e tij plotësojnë kërkesat e përcaktuar në këtë ligj.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë