Dita fushore, Kote: Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore pranë fermerit për prodhime cilësore me më pak kosto - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 10/06/2021

Dita fushore, Kote: Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore pranë fermerit për prodhime cilësore me më pak kosto

Në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në qytetin e Lushnjes u zhvillua një aktivitet me rastin e Ditës Fushore ku merrnin pjesë zv/ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Dhimo Kote, dhe përfaqësues të strukturave të saj në Lushnje, si dhe fermerë të zonës.
Në fjalën e tij, drejtori i Qendrë së Transferimit të Teknologjive Bujqësore Lushnje, prof.Andrea Muço tha se më fokus të punës së kësaj qendre janë kërkimet dhe transferimi i teknologjive që realizohet përmes projektit të perimeve dhe projektit të grurit të miratuara nga ministria e Bujqësisë.
Sipas tij, QTTB ka krijuar një urë bashkëpunimi me shumë aktorë, mes të cilëve fermerët potencialë të zonës të cilët janë bërë pjesë e eksperimenteve dhe e studimeve të ndryshme shkencore që ka hartuar Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore të Lushnjes.
Drejtori i QTTB tha se per vitin 2021 janë disa studime në proces që lidhen me dy kulturat, të perimeve dhe kultura e grurit.
Ai vlerësoi dhe bashkëpunimet e rëndësishme shkencore që janë kryer me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Ndërsa zv/ministri i ministrisë së Bujqësisë, Dhimo Kote theksoi në fjalën e tij, se në strategjinë e hartuar nga MBZHR për vitet 2021-2030, është parashikuar një bashkëpunim i të gjitha burimeve njerëzore e shkencore të Ministrisë me strukturat e saj, QTTB, AREB si dhe stafin e universitetit Bujqësor për ta faktorizuar bujqësinë dhe orientuar drejt prioritetit tonë që lidhet me rritjen e eksporteve bujqësore.
“Tashmë Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore tashmë janë efiçente dhe Ministria e Bujqësisë i ka mbështetur dhe do të vazhdojë ti mbështesë dhe financiarisht pë të kryer detyrat e tyre por nga ana tjetër duhet që këto studime që kryhen në institucionet e QTTB, duhet të shtrihen në terren për ti njohur fermerët me teknologjitë e reja bujqësore, për kultivarët krahasues, për distancën, për mënyrën e plehërimit”, tha zv/ministri Kote.
Sipas tij, këto informacione shkencore do të ndihmojnë fermerin të kuptojë se me teknologjinë e re do të ulet kosto e shpenzimeve por nga ana tjetër do të rritet cilësia e produkteve bujqësore.
Kote theksoi se nga ana e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore duhet punuar më shumë për orientimin e fermerëve drejt kulturave bujqësore që kërkohen nga tregu dhe gjenerojnë më shumë të ardhura për ta.
Zv/ministri Kote tha se ministria e Bujqësisë i ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë fermerët me skemat mbështetëse sic ishte heqja e taksës së naftës, ulja e tvsh për inputetet bujqësore, fidanëve, makinerive bujqësore etj.
Kote vlerësoi dhe bashkëpunimin me kompanitë e tregtimit të imputeve bujqësore të cilët kanë asistuar fermerët për implementimin e pajisjeve në aktivitetin e tyre bujqësor.