Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim zyrtar me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.
Gjatë takimit, të dy palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e bujqësisë, si një sektor me potencial të lartë zhvillimi dhe ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe punësimin në zonat rurale.
Ministrja Denaj deklaroi se diskutimet u përqendruan në identifikimin e mundësive konkrete për zgjerimin e partneritetit përmes trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta, të mbështetura nga Bashkimi Europian.
“Diskutuam mbi mundësitë konkrete për thellimin e partneritetit përmes trajnimeve dhe projekteve të mbështetura nga Bashkimi Europian, me fokus te shkëmbimi i përvojës institucionale dhe përgatitja për proceset që shoqërojnë integrimin europian”, u shpreh ministrja Denaj.
Takimi konfirmoi angazhimin e ndërsjellë për të zhvilluar iniciativa që kontribuojnë në modernizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri dhe në rritjen e kapaciteteve teknike dhe institucionale për përballimin e sfidave të integrimit në BE.
© Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara | Politikat e Privatësisë