Zv.Kryeministri Peleshi dhe Ministri i Bujqësisë Panariti nisen drejt Tel Avivit për të marrë pjesë në forumin e biznesit Shqipëri-Izrael - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 21/11/2013

Zv.Kryeministri Peleshi dhe Ministri i Bujqësisë Panariti nisen drejt Tel Avivit për të marrë pjesë në forumin e biznesit Shqipëri-Izrael

Zv. Kryeministri i Shqipërisë z. Niko Peleshi dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti, u nisën sot për në Izrael, ku do të marrin pjesë në forumin ekonomik Shqipëri-Izrael. Në përbërje të delegacionit është dhe një numër i madh biznesmenësh shqiptarë.

Në këtë forum të rëndësishëm, Zv. Kryeministri Peleshi dhe Ministri Panariti do të mbajnë secili nga një fjalë, ku do të prezantojnë prioritetet e Qeverisë Shqiptare, situatën ekonomike, kryesisht në sektorin jetik të bujqësisë, dhe do të ftojnë investimet izraelite në ekonominë shqiptare.

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga z. Peleshi do të marrë pjesë edhe në konferencën ndërkombëtare ‘WATEC Israel 2013’ si dhe në ekspozitën për teknologjitë e ujit që do të mbahet në Tel Aviv nga data 22-23 tetor 2013. Ky aktivitetet mbështetet nga Ministria e Bujqësisë, e Industrisë, Tregëtisë dhe Punës e Izraelit.

Gjatë pjesëmarrjes në konferencë, z. Peleshi dhe z. Panariti do të zhvillojnë një sërë takimesh dypalëshe me zyrtarë izraelitë, por dhe me përfaqësues të biznesit dhe kompanive izraelite. Në këto takime, do të diskutohet në lidhje me mundësinë e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe turizmit. Gjithashtu, do të diskutohet mbi mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve për të përfituar nga përvoja izraelite në zhvillimin e teknologjive të reja dhe efektive në sektorin e ujit me synim rritjen e prodhimit bujqësor.