Zhvillohet në Ministrinë e Bujqësisë ceremonia e përfundimit të projektit PAZA. Panariti: Projekti uli ndjeshëm një prej sëmundjeve më të rrezikshme, atë të brucelozës - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 18/11/2013

Zhvillohet në Ministrinë e Bujqësisë ceremonia e përfundimit të projektit PAZA. Panariti: Projekti uli ndjeshëm një prej sëmundjeve më të rrezikshme, atë të brucelozës

U zhvillua sot në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ceremonia e përfundimit të projektit 5 vjeçar të BE-së, PAZA (Protection Against Zoonotic diseases, Albania – Mbrojtje kunder semundjeve zoonotike në Shqipëri).

Në këtë ceremoni, Ministri Panariti theksoi se ky projekt ka arritur një sukses të vertetë, pasi u arrit të bëhej një vaksinim masiv kundër brucelozës të kafshët e imta në shkallë të gjerë në gjithë vendin dhe si rezultat, sot kemi një ulje të ndjeshme të një prej sëmundjeve më të rrezikshme në Shqipëri, atë të brucelozës.

Z. Panariti shtoi se një tjetër rezultat madhor i projektit ishte hartimi i regjistrit të fermave, i cili sot përmban të dhëna të 300 mijë fermave në gjithë vendin. Projekti PAZA mbështeti zhvillimin e ‘database’-it të identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve, i njohur si sistemi RUDA, ku gjenden të dhëna për identifikimin e rreth 2.5 mln bagëtive të imta. Ky sistem i jep mundësinë shërbimit veterinar dhe Ministrisë së Bujqësisë të njohin shpërndarjen e blegtorisë në gjithë territorin e vendit.

Ministri Panariti u shpreh i kënaqur që Shqipëria falë këtij projekti është ndër vendet e Organizatës Botërore të Kafshëve OIE, që ka futur me sukses të dhënat për sëmundjet e kafshëve në sistemin botëror të shëndetit të kafshëve WAHIS.

Ndërkohë ambasadori Sequi në fjalën e tij u shpreh gjithashtu i kënaqur me arritjet e këtij projekti të financuar nga BE. Ai theksoi se shëndeti i kafshëve është një shqetësim serioz për ekonominë dhe se sëmundjet e kafshëve përbëjnë një barrë shumë të madhe për fermerët dhe për gjithë ekonominë e vendit. Por ai shtoi se falë këtij projekti aktualisht ka një ulje të rasteve të sëmundjes së brucelozës.

Projekti ‘Paza’ nisi në dhjetor 2009 dhe përfundoi në nëntor 2013 dhe është një nga projektet më të mëdhenj i realizuar nga Ministria e Bujqësisë falë financimit të BE-së, që arriti në total në 7.5 mln euro.