Starton projekti "Rrjeti i Inovatorëve të rinj për ide të qëndrueshme në sektorin agro Ushqimor" - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 18/12/2013

Starton projekti “Rrjeti i Inovatorëve të rinj për ide të qëndrueshme në sektorin agro Ushqimor”

Ministria e Bujqësisë lançoi sot projektin “Rrjeti i Inovatorëve të rinj për ide të qëndrueshme në sektorin Agro ushqimor”, i njohur ndryshe si projekti NOBLE Ideas. Ky projekt financohet nga BE , përmes programit të bashkëpunimit mes vendeve të Europës Juglindore dhe po aplikohet në 7 vende të rajonit(Itali, Bullgari, Hungari, Rumani, Slloveni, Serbi dhe Shqiperi).  Projekti synon që të tërheqe idetë më të mira, inovatore nga individë, organizata grupe interesi me qellim implementimin e tyre në sektorin e agro ushqimit. Gjithashtu synon që këto ide inovatore të shkëmbëhen mes vendeve pjesëmarrëse në këtë projekt.
Ishin të ftuar sot në startimin e këtij projekti në Ministrinë e Bujqësisë, përfaqësues nga organizata të ndryshme që merren me sektorin agro ushqimor, përfaqësues nga Universiteti Bujqësor, Keshilli i Agrobiznesit shqiptar, Instituti i Bimëve Medicinale, Instituti i Sigurise Ushqimore e Veterinare, përfaqësues nga biznese të verës etj.
Në fjalën e saj kordinatorja e projektit zonja Ariana Misha bëri një paraqitje të objektivave të projektit, që konsiston kryesisht në hapjen e një gare për inovatorët e rinj, për të gjithë ata që do të sjellin ide konkrete për t’i implementuar ato ne sektorin e agro ushqimit. Aplikimi starton duke nisur nga dita e sotshme dhe për të gjithë aplikantët afati përfundimtar është 31.12.2013, ndërsa aplikimi mund të bëhet në websiten: nobleideas.eu; network.nobleideas.eu. Aplikimet mund të dërgohen në adresën ariana.misha@bujqesia.gov.al.

Idetë do të përzgjidhen në nivel lokal dhe të përzgjedhurit do të prezantohen në një takim ndërkombëtar me ndërmarrjet dhe investitorët që vijnë nga të gjitha vendet partnere, të cilët do të vendosin dhe të financojnë zhvillimin e 7 ideve më të mira. Rezultati kryesor i konkursit është shkrirja në mes të kërkesës dhe ofertës kërkimore dhe një ndikim pozitiv mbi mungesën e investimeve private në nxitjen e kërkimit dhe inovacionit, i cili do të rezultojë në më shumë ndërmarrje konkurruese.
Projekti gjithashtu synon krijimin e një sistemi zyrash të ndërlidhura dhe një platformë teknokogjike për shkëmbimin dhe zhvillimin e ideve të inovatorëve të rinj. Në kuadër të projektit do zhvillohen dhe aktivitete që do të krijojnë një traditë në organizimin e panaireve të inovacioneve për industrinë agro-ushqimore.