Nis lufta biologjike ndaj parazitit të gështenjave në zonën e Reçit dhe Shalës. Ministrja Krifca: Ky është viti i tretë, programi i suksesshëm. Prodhimi nga 50 në 250 ton gështenjë në vit vetëm në zonen e Masivit të Recit. - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 14/06/2022

Nis lufta biologjike ndaj parazitit të gështenjave në zonën e Reçit dhe Shalës. Ministrja Krifca: Ky është viti i tretë, programi i suksesshëm. Prodhimi nga 50 në 250 ton gështenjë në vit vetëm në zonen e Masivit të Recit.

Për të tretin vit radhazi, gështenja e Malësisë së Madhe do të jetë më e mbrojtur. Në një takim me fermerët e gështenjës në zonën e Reçit në Malësinë e Madhe, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca njoftoi nisjen e luftës biologjike kundër parazitit të identifikuar në kulturën e gështenjës.

Ministrja tha se tanimë ky investim i qeverisë ka dhënë rezultate konkrete në rritjen e prodhimit, ku vetëm për këtë zonë, nga 50 ton prodhim në vit, tashmë sasia që fermerët kultivojnë është 250 ton gështenja në vit.

Ministrja Krifca tha se kultura e gështenjës është një aset i rëndësishëm i sektorit të bujqësisë dhe se qëllimi i qeverisë është rritja e prodhimit dhe rritja e të ardhurave të fermerëve që punojnë me këtë produkt. Janë rreth 450 ha sipërfaqe, ku do të zhvillohet kjo luftë biologjike, nëpërmjet së cilës synohet rritja e rendimentit të prodhimit në zonën e Recit. Përvec kësaj zonë, e rëndësishme është se këtë vit do të kryhet ky proces edhe në zonën e Shalës, në një sipërfaqe tjetër prej rreth 150 ha.

Ministrja Krifca tha se do të vijohet me mbështetjen e këtij projekti, në mënyrë që t’i shërbejmë prodhimit të gështenjës pasi mbi 50% e prodhimit vendas eksportohet në tregjet ndërkombëtare me cmime konkuruese.