Ministria e Bujqësisë rekomandon mbylljen e menjëhershme të tregut ushqimor pranë Uzinës Dinamo - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 09/12/2013

Ministria e Bujqësisë rekomandon mbylljen e menjëhershme të tregut ushqimor pranë Uzinës Dinamo

Për shkak të ndjeshmërisë lartë të opinionit publik lidhur me situatën në tregun ushqimor pranë uzinës Dinamo, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit rural dhe Administrimit të Ujërave ka urdhëruar Autoritetin kombëtar të Ushqimit të ngrejë menjëherë një grup pune për të inspektuar gjendjen në këtë treg.
Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim, kontrolloi me rreptësi, në zbatim të gjithë kuadrit ligjor dhe parametrave higjenosanitar, tregun ushqimor pranë Uzinës Dinamo. Në përfundim, u konstatuan një sërë shkeljesh të rënda që cënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë ushqimore për konsumatorin e gjerë. U konstatua prezencë e lartë bakteriale te produktet ushqimore (si djath i prishur), u konstatua ekspozim i produkteve jashtë dhomave frigoriferike, çka përbën shkak për përhapjen e sëmundjeve, u verifikuan dëmtime të dyshemeve, tavaneve, mungesë të ujit të ngrohtë, dhoma frigoriferike të dëmtuara e të ndryshkyra, pa ndriçimin e nevojshem. Gjithashtu u konstatua mungesë dokumentacioni shoqërues i produkteve ushqimore, regjistri i gjurmueshmërise etj.
Bazuar në të gjitha këto shkelje, AKU me anë të një shkresë drejtuar Bashkisë Tiranës me nr protokolli 2948 dt 9.12 2013, rekomandoi mbylljen e mënjehershme të këtij tregu, për një periudhë të përkohshme deri në plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme sipas legjisacionit në fuqi.

Aktualisht janë marrë mostra të produkteve ushqimeve të tregtuara jashtë parametrave higjenike dhe janë dërguar në laboratorët e Institutit për Sigurinë Ushqimore e Veterinare.
Sapo të mbërrijë raporti përfundimtar i analizave të mostrave të marra sot në këtë treg, rezultatet do t’i bëhen të ditura opinionit publik.

Ndërkohë për shkak të shqetësimeve të ngritura si pasojë e lëvizjes së një sasie të konsiderueshme mbetjesh kimike nga ish uzina Dajti me përmbajtje cianur,  Ministria e Bujqësisë është në pritje të sqarimit nga Ministria e Mjedisit lidhur me situatën mjedisore për kontaminimin e mundshëm të kësaj zone pas zhvendosjes së këtyre mbetjeve.