Ministri Panariti vizitë në Shkup: Të shtojmë shkëmbimet tregtare për produktet bujqësore - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 17/12/2013

Ministri Panariti vizitë në Shkup: Të shtojmë shkëmbimet tregtare për produktet bujqësore

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti zhvilloi një vizitë në Shkup me ftesë të homologut maqedonas Lupço Dimovski.
Dy ministrat ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në sektorin bujqësor, një bashkëpunim që aktualisht ka qenë jo në nivelin e duhur. Ministri Panariti theksoi se nevojitet që të nxiten komunitetet e biznesit që të intensifikojnë kontaktet mes tyre për t’i hapur rrugë rritjes së shkëmbimit të produkteve bujqësore. Ministri Panariti theksoi se rritja e bashkëpunimit në bujqësi është shumë e rëndësishme, pasi sipas tij sjell efekte pozitive në zhvillimin e ekonomive të të dyja vendeve.  “Ne duhet ta konsiderojmë tregun si një treg të përbashkët, ku secili vend padyshim përmes avantazheve të krahasuara dhe konkurruese që disponon të mund të luajë rolin që i takon në këtë treg të përbashkët, që është më i madh se sa tregu i vakant i secilit prej vendeve tona. Duke pasur një përqasje të këtillë, ne mendojmë që do të ecim në rrugën që duhet për zhvillimin e ekonomive tona për zhvillimin e bujqësisë”, tha Panariti.
Ndërsa ministri Maqedonas z. Dimovski u shpreh se aktualisht  shkëmbimi i përgjithshëm tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë aktualisht është shumë i vogël dhe shkon deri në 100 milionë euro në vit, por sa i përket produkteve bujqësore, shkëmbimi ka qenë shumë i ulët.  Z. Dimovski u shpreh se së shpejti, një delegacion i biznesmenëve maqedonas do të vizitojë Tiranën për të vendosur bashkëpunim të drejtëpërdrejtë me kompanitë e Shqipërisë, për një prani më të madhe të prodhimeve bujqësore nga Maqedonia në tregun e Shqipërisë dhe anasjelltas.
Dy ministrat kanë njoftuar dhe forcimin e bashkëpunimit edhe sa i përket ruajtjes së parametrave ekologjikë dhe të biodiversitetit në liqenin e Ohrit dhe Prespës. Në këtë kuadër  ra dakord për ngritjen e grupit të punës  ndërministerial për trajtimin e liqenit të Prespes dhe Ohrit.
Më tej u zhvillua një vizitë në Agjencinë e Zhvillimit Rural të Maqedonisë  (Agjencia e Pagesave) për t’u njohur nga afër me skemën e subvencionimit të fermereve në shtetin fqinj. Në fakt Maqedonia jep subvencion për fermerët në masën 135 mln euro në vit, ndërkohë që në Shqipëri fermerët marrin një subvencion prej 7 mln euro në vit. Ministri Panariti e ftoi Ministrin Dimosvki për një vizitë në Tiranë vitin e ardhshëm, ftesë që u pranua me kënaqësi nga homologu maqedonas.
Në fund u zhvillua dhe një vizitë në kantinën më të madhe të verës Tikveš Winery në Maqedoni për t’u njohur dhe me eksperiencën maqedonase në prodhimin e verës.