Ministri Panariti priti sot në takim ambasadorin e Greqisë z. Rokanas: Dakord për memorandum bashkëpunimi për bujqësinë - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 26/11/2013

Ministri Panariti priti sot në takim ambasadorin e Greqisë z. Rokanas: Dakord për memorandum bashkëpunimi për bujqësinë

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti priti sot në takim ambasadorin e Greqisë në vendin tonë z. Leonidas C. Rokanas.

Dy bashkëbiseduesit ranë dakord se bujqësia është një sektor mjaft i rëndësishëm dhe jetik për të dy vendet si Shqipërinë dhe Greqinë.  Ministri Panariti theksoi se tashmë është koha që të ketë hapa konkrete dhe bashkëpunim konkret në fushën e bujqësisë, përveç vullnetit për të bashkëpunuar nga dy palët.

Z. Rokanas propozoi firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi posaçërisht në fushën e bujqësisë, ku do të përfshihen gjithë sektorët që nga prodhimi organik, siguria ushqimore, peshkimi etj.

Ministri Panariti mirëpriti këtë propozim dhe siguroi z. Rokanas se shumë shpejt Qeveria shqiptare do ta shqyrtojë dhe do të firmosë këtë memorandum bashkëpunimi që do ta ngrejë në një nivel të ri dhe konkret marrëdhënien mes Greqisë dhe Shqipërisë në fushën e bujqësisë. Ky memorandum do të firmoset mes Ministrave të Bujqësisë së dy vendeve në një të ardhme të afërt.

U ra dakord gjithashtu të organizohen dhe evente të ndryshme, ku prodhuesit shqiptare dhe ata grekë të prezantojnë së bashku produktet e tyre..