Ministri Panariti përshëndeti hapjen e Panairit “HORECA”, i pari per hotele, kafe e restorante - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 09/03/2014

Ministri Panariti përshëndeti hapjen e Panairit “HORECA”, i pari per hotele, kafe e restorante

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti mbajti një fjalë përshëndetëse në fillim të panairit HORECA,  (hotels, restorants, caffe), një panair që organizohet për herë të parë në Shqipëri dhe ka si qëllim prezantimin e potencialeve dhe larmishmërisë që mund të ofrojë tregu i Hoteleve, Restoranteve dhe Bareve. Në fjalën e tij Ministri Panariti theksoi se tregu i hotel restorant kafe është tregu më i madh në vend, duke zënë afërsisht 70% të zërave të importeve dhe mbi 50% të tregut të punës. Duke u nisur nga nevoja e ketij tregu për organizim më të mirë të tij, Kompania “Event Market” shpk dhe Ministria e Bujqësise, organizuan panairin HORECA. Në fjalën e tij më tej Ministri Panariti u shpreh:
“Sic mund ta shikoni, në stendën e Ministrisë së Bujqësisë, çdo gjë flet vetëm shqip. Kemi prodhues të vajit të ullirit, produkteve organike, mjaltit, si ndër prioritetet kryesore të kësaj Ministrie.
Jemi të fokusuar në promovimin e produkteve shqiptare, si dhe rritjen e cilësisë së këtyre produkteve, kjo nëpërmjet dy nismave të ndërmarra:
1.   Vula e cilësisë: Do të fillojmë me 3 sektorë, vaji ullirit, vera dhe mjalti.
2.   Si dhe nisma “Prodho shqip, Tregto Shqip, Konsumo Shqip”.
Këto nisma do të mbështeten nga Ministria jo vetëm nëpërmjet organizimit të  aktiviteteve promovuese të tilla, por edhe nëpërmjet subvencioneve, duke i dhënë një rëndësi të vecantë cilësisë dhe fokusimit te rezultati. Në këtë mënyre ndikojmë edhe në formalizimin e këtij sektori por jo vetëm.
I bëjmë thirrje të gjithë hotelerive, restoranteve, kafeve, të bëhen pjesë e nismës “Prodho shqip, Tregto Shqip, Konsumo Shqip” me qëllim nxitjen e konsumit dhe promovimit të produkte shqiptare.

Në këtë edicion të parë, i cili është edhe fillimi i një tradite të re, marrin pjesë kompani nga Shqipëria dhe shtetet fqinje, me produkte dhe shërbime nga ushqimi, pije të ndryshme alkolike apo jo alkolike, verëra dhe  birra, pije energjike, furnizues të lëndëve të para, furnizues të kafesë, çajrave, etj.
Prezantimi i këtyre produkteve do të mundësojë Hotelet, Restorantet dhe Baret të gjejnë zgjidhje ekonomike, profesionale dhe të qëndrueshme për zhvillimin dhe përparimin e biznesit të tyre. Gjithashtu, pjesëmarrja në këtë panair e kompanive të produkteve ushqimore të sektorëve të ndryshëm (verë, pije alkoolike, produkte mjalti, vaj ulliri, çaj, etj.) është një mundësi shumë e mirë për krijimin e një tregu të ri për kompanitë shqiptare të agropërpunimit duke vendosur e krijuar marrëdhënie direkte me hotele, restorante e bare.