Ministri Panariti në konferencë për shtyp: Ministria e Bujqësisë shleu borxhet e 8 viteve të mëparshme - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 10/12/2013

Ministri Panariti në konferencë për shtyp: Ministria e Bujqësisë shleu borxhet e 8 viteve të mëparshme

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti doli sot në një konferencë për shtyp ku deklaroi se Ministria që ai drejton, ka mundur të shlyejë borxhet dhe detyrimet që kjo Ministri i ka patur të akumuluara nga tetë vitet e qeverisjes së shkuar, kryesisht detyrime të hidrovoreve për energjinë elektrike, pra ndaj KESH. Kjo shlyerje detyrimesh u arrit falë mirëmenaxhimit dhe alokimit të fondeve në këtë drejtim.

Fjala e plotë e Ministrit Panariti:

“Për Ministrinë e Bujqësisë, katër janë prioritetet më madhore, uji toka, prodhimi bujqësor, dhe tregu. Për të filluar me prioritetin e pare – me ujin-  sidomos në këtë stinë ku ndodhemi, që është stina e shirave, vëmendja e përkushtimi ynë është për të mirëmbajtur sistemin kullures, për të investuar në argjinatura, në hidrovore e në stacione pompimi. Por e gjitha kjo nuk do kishte kurrëfarë vlere, në rast se ne nuk do ta nxirrnim sistemin nga kolapsi, pra nga borxhet e trashëguara dhe akulumuara prej tete vitesh. Dhe këto borxhe nuk janë pak, janë rreth 850 mijë dollarë. Por duke nisur nga sot, këto borxhe janë zero, për arsye se falë një mirëadministrimi të financave publike, një rialokimi të kujdessshëm të tyre, këto borxhe konsiderohen të shlyera. Kështu sistemi futet në binarët e normalitetit. Tani marrin vlerë dhe investimet, edhe riparimet, dhe ndërhyrjet, kur garantohet furnizimi i pandërprerë me energji elektrike. Por jo vetëm kaq, ne tashmë kemi bërë gati edhe propozimet tona, për rishikimin e tarifave të furnizimit me energji elektrike, të hidrovoreve, të stacioneve të pompimit, dhe së shpejti ky draft me tarifat e reja favorizuese do t’u kalojë institucioneve përkatëse për miratim, duke lehtësuar më shumë sistemin për të qenë në eficencë të mire, për të përballuar atë që duhet të përballojnë – kullimin. Le të jetë ky ogur i mbarë për Qeverinë e cila ka ndërmarrë objektivin madhor për shlyerjen e borxhit publik. Fillesa është e jona, po jam i sigurt se do futemi në mënyrë të qendrueshme në shlyerjen e borxheve të mbetura e trashëguara nga tetë vitet e mëparshme.

Pyetje
Z. Ministër, është bërë sot një protestë nga tregtarët pranë uzinës Dinamo, një ditë pasi Ministria ka dërguar një rekomandim për mbylljen e këtij tregu. Si do të veprohet me këta tregtarë?

Ministri Panariti: Ministria e Bujqësisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, unë, nuk do hezitojmë, nuk do ndalemi e nuk do frenohemi nga kërkesa e vazhduar dhe insistuese për zbatimin e standarteve më të larta të sigurisë dhe cilësisë në prodhimet ushqimore. Ju siguroj se nuk do jetë asnjë lloj kompromisi me këto standarde. Pasi unë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk do të bëjmë asnjë kompromis me helmimet, nuk do bëjmë kompromis me infeksionet, nuk do bëjmë kompromis me kancerin, nuk do bëjmë kompromis me keqformimet embrionale që bazën e kanë te ndotja e mjedisit dhe tek ndotja e prodhimeve ushqimore. Prandaj të lejohen autoritetet të veprojnë konform ligjit. Më lejoni të siguroj tregtarët që janë në krahun tonë, pasi jam i bindur që ata janë në krahun tonë për zbatimin e këtyre standardeve, se ata jo vetëm që do jenë në treg, nuk do largohen nga tregu, por përkundrazi do gëzojnë gjithë mbështetjen tonë për të zgjeruar praninë e tyre në treg. Të tjerët, duhet të largohen dhe nuk ka lobim që i shpëton”.
Info shtesë për redaktorët

Borxhet: Konkretisht detyrimet e shlyera janë:
– Detyrime të Bordeve të Kullimit, për energji elektrike të hidrovoreve  85.5 milion (31.5 milion lekë energji e papaguar në vitin 2013 dhe 54 milion lekë energji e prapambetur nga vitet e kaluara të Bordit Kullimit Lezhë).
– Detyrime që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore dhe që janë autorizuar për pagese në aparatin e MBZHRAU. Pra detyrimet për likujdim, për vitin 2013 janë në shumën 89.5 milion lekë..

Tregu Dinamo: Një ditë më parë Autoriteti kombëtar i Ushqimit, institucion në varësi të Ministrisë së Bujqësisë ka zhvilluar një kontroll në tregun pranë uzinës Dinamo, për të inspektuar gjendjen në këtë treg. Kontrolli u bë pas ndjeshmërisë së lartë që u krijua për ndotjen e zonës së tregut dhe produkteve ushqimore nga transportimi i disa mbetjeve kimike me cianur, por kontrolli u bë dhe në kuadër të task forcës që është krijuar tashmë prej më shumë se një muaji dhe po mbyll shumë aktivitete tregtare që nuk plotësojnë kushtet higjeno sanitare. Nga kontrolli i bërë një ditë më parë nga AKU rezultoi se u gjetën një sërë shkeljesh të standardeve higjenike, që dëmtojnë shëndetin e konsumatorit. Mostrat e mjaft produkteve të tilla janë derguar për analizë në laboratorët e ISUV-it. Për këtë arsye AKU i rekomandoi Bashkisë Tiranë mbylljen e këtij tregu, deri në plotësimin e standardeve të kërkuara.