Ministri Panariti mori pjesë në Forumin e Politikave Bujqësore në Serbi - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 17/11/2013

Ministri Panariti mori pjesë në Forumin e Politikave Bujqësore në Serbi

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti mori pjesë në forumin e politikave bujqësore që u mbajt në  datat 14-16 Nentor 2013 ne Kopaonik te Serbisë. Ky ishte  takimi i shtatë i përvitshëm i Ministrave të Bujqësisë të vendeve të Europës Juglindore, tema kryesore e të cilit ishte bujqësia dhe zhvillimi rural rajonal të këtyre vendeve në procesin e integrimit Europian.

Ministri Panariti mbajti një fjalë ku prezantoi situatën ekonomike shqiptare, vecanërisht të sektorit të bujqësisë, e cila gjeneron 17.7% të prodhimit të brendshem. Ministri Panariti u shpreh se Ministria shqiptare e Bujqësisë tashmë ka krijuar institucionet e kërkuara dhe të mbështetura nga BE në kuadrin e IPARD, instrumenti para anëtarësimit. Ai u shpreh se Shqipëria është pranë marrjes së statusit kandidat, por ka ende shumë punë për të bërë, para se të jemi gati për anëtarësimin e plotë në BE. Ai shtoi se fakti që objektiv i përbashkët i vendeve pjesëmarrëse në këtë forum është integrimi në BE, kjo i bën më të interesuara për zhvillimet në sektorin e bujqësisë të secilit vend.

Në fund, u bë edhe ceremonia e firmosjes së Deklaratës të Mbledhjes së 7-të vjetore të Ministrave të bujqësisë të Europës Jug-Lindore, me të cilën konfirmohet mbështetja ndaj procesit të integrimit europian, vazhdimi i përpjekjeve për të përafruar politikat kombëtare të zhvillimit rural me Politikën e përbashkët për Bujqësinë të BE gjatë 2014-2020. U ra dakord që të bashkëpunohet, të shkembëhen eksperiencat në zbatimin e programeve të IPARD për të maksimalizuar përfitimet nga ky instrument. Gjithashtu u shprehën të angazhuar ndaj parimeve të tregtisë rajonale, të lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve në rajon për përfitimin e gjithë palëve me synim arritjen e qëllimit të përbashkët integrimit në BE.

Ministri Panariti zhvilloi me këtë rast dhe një sërë takimesh dypalëshe me homologët e Malit të Zi, Kroacisë, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, etj.

Vitin e ardhshëm ne 2014, Shqipëria do te marrë presidencën e radhës, për mbajtjen e këtij takimi të përvitshëm.