Ministri Panariti merr pjesë në Samitin botëror të Ujit në Budapest - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 07/10/2013

Ministri Panariti merr pjesë në Samitin botëror të Ujit në Budapest

Ministri i Bujqësisë, Zhillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti ndodhet sot në Hungari, ku do të marrë pjesë në Samitin e ujit në Budapest (Budapest Water Summit 2013). Ministri Panariti është i ftuar mes shumë personaliteteve dhe liderëve nga e gjithë bota, ministra, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare, bizneseve, shoqërisë civile dhe përfaqësues të shkencës etj. I pranishëm është dhe Sekretari i përgjithshëm i OKB-ve, z. Ban ki Moon.

Ky samit është i organizuar nga Ministria e Jashtme e Hungarisë, në bashkëpunim me OKB, dhe është konsideruar një nga aktivitetet më të mëdha të vitit lidhur me ujin dhe higjenën. Qëllimi i këtij samiti është të diskutohet për sfidat më të mëdha me të cilat përballen shtetet e botës mbi ujin dhe higjenën. Pritet që në fund të këtij samiti të miratohet dhe një deklaratë e përbashkët.

Veç pjesëmarrjes në këtë samit të rëndësishëm, Ministri Panariti pritet të zhvillojë dhe takime dypalëshe me Ministrin e jashtëm hungarez, z Janos Martonyi, si dhe me Ministrin e Zhvillimit Rural në Hungari z. Janos Fazekas.