Ministri Panariti, leksion në Universitetin Bujqesor “Szent Istvan” në Hungari - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 07/03/2014

Ministri Panariti, leksion në Universitetin Bujqesor “Szent Istvan” në Hungari

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave mbajti një leksion në universitetin Bujqësor  “Szent Istvan” një nga universitetet më të mëdha të Hungarisë me rreth 16 mijë studentë nga vende të ndryshme të botës. Historia e këtij universiteti daton më shumë se një shekull më parë. Ministri Panariti u prit nga rektori i këtij universiteti dr. János Tőzsér dhe drejtori i marrëdhënieve me jashtë Dr István SZABÓ. Në leksion ishin të pranishëm akademikë, studioes dhe studentët më të mirë të agrobiznesit e veterinarisë.

Ministri Panariti prezantoi leksionin me temë: “Bujqësia shqiptare: potenciale dhe mundësi zhvillimi”. Fillimisht ai bëri një paraqitje të situatës ku ndodhet bujqësia shqiptare, infrastruktura rurale, toka bujqësore dhe shfrytëzimi i saj, duke vazhduar me statistika mbi produktet tona si vaji i ullirit, produktet e mishit, qumështit, fruta perimet e deri te bimët medicinale, duke treguar se në cilat nga këto produkte vendi ynë ka avantazh dhe ku kemi mungesa të theeksuar dhe nevojë për import.

Ministri Panariti u shpreh se bujqësia shqiptare ende ka shumë probleme por gjerat kanë nisur të ndryshojnë për mirë. Këtë e tregon dhe ndryshimi i trendit negativ eksport- import, që deri vitin e shkuar ka qenë në raportin 1 me 7 ndërsa sot është reduktuar në raportin 1 me 5.7. Ministri Panariti paraqiti dhe vizionin e tij për të reformuar sektorin e bujqësisë dhe politikat kryesore për të rimëkëmbur këtë sektor. Leksioni u ndoq me shumë interes nga studentët, të cilët më pas bënë pyetje lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, për shkëmbimin tregtar mes Shqipërisë e Hungarisë dhe për idetë për forcimin e shkëmbimeve akademike mes këtij universiteti dhe Universitetit Bujqësor të Kamzës.

Ministrit Panariti në fund të leksionit iu dha dhe një diplomë merite nga ky universitet: “Për punën e tij të jashtëzakonshme për thellimin e njohurive shqiptare hungreze në fushën e bujqësisë me prezantimin e tij në Universitetin “Szent Istvan”

Në takimin që pati me rektorin e UT Dr. János Tőzsér dhe me drejtorin e marrëdhënieve me jashtë z. István SZABÓ u ra dakord të bëhen përpjekjet edhe përmes ambasadores sonë në Budapest znj Mira Hoxha që të krijohen mundësitë për një bashkëpunim më të fortë akademik mes dy Universiteteve bujqësore të dy vendeve dhe për ofrimin e bursave për studentet në shqiptare në këtë universitet prestigjoz të Hungarisë…